Aida Gjeçaj, pronarja e restorantit “Villa Gjeçaj” në Theth, i cili u shkatërrua nga një zjarr pak ditë më parë, ka shprehur shqetësimin e saj për ecurinë e hetimeve dhe ndikimin e aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike.
Në një prononcim për Euronews Albania, Gjeçaj u shpreh e përlotur për humbjen e biznesit të saj dhe për dëshirën që kishte për të parë Thethin të zhvillohej sipas standardeve evropiane. Ajo kritikoi ashpër kohën e zgjedhur nga qeveria për të vijuar me prishjet, pikërisht në kulmin e sezonit turistik, duke theksuar se turistët po anulojnë rezervimet dhe ndihen të traumatizuar nga situata. “Unë nuk e di pse tani, sepse tani është momenti më i keq vërtet, jemi në mes të sezonit dhe kemi turistë të cilët po anulojnë janë në traumatizuar,” – tha Gjeçaj.
Lidhur me zjarrin që i shkrumbi restorantin, Gjeçaj bëri të ditur se hetimet janë ende në proces, por deri tani është vërtetuar se shkak i zjarrit nuk ka qenë ndonjë shkëndijë elektrike. “Hetimet janë në proces ajo është pjesa e ligjit dhe nuk kam informacione… Dimë që nuk ka qenë problemi i energjisë elektrike, duket që është diçka tjetër,” – u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se mund të ketë qenë një zjarrvënie e qëllimshme.
Aida Gjeçaj, e cila më parë ka qenë e ftuar edhe në një podcast me Kryeministrin Edi Rama, e ka lidhur indirekt djegien e restorantit të saj me aksionin e IKMT-së, duke e konsideruar atë si një “koincidencë të keqe”. Kjo lidhje ngre dyshime për mundësinë e një zjarrvënieje të qëllimshme, duke pasur parasysh edhe faktin se bashkëshorti i saj është oficer pranë BKH-së. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkaqeve të zjarrit vijojnë nga autoritetet kompetente.