Ditën e sotme Gjykata e Lartë vulosi dënimin me 32 vite burg për shtetasen Marjana Çmeta, e cila në vitin 2017, i mori jetën vjehrrës së saj. Sipas “OraNews“, në një vendim të dhënë në 28 nëntor të 2020, e reja ishte dënuar me 32 vite heqje lirie.
Ndonëse ajo ankimoi së fundmi kohën e dënimit, treshja e Gjykatës, vendosi ta rrëzonte kërkesën e saj. Kujtojmë se pas konflikteve të përjetuara me njëra-tjetrën, Marjana Çmeta helmoi me fotoksinë vjehrrën e saj, Lirie Lame.
Para togave të zeza, Marjana ka mohuar akuzat për vrasjen e Lames duke u shprehur se nuk mban mend asgjë. Mirëpo krimi i rëndë u zbulua falë këmbënguljes së Oltit, ish-bashkëshortit të saj, i cili zbuloi videon që kishte regjistruar një hoxhë, tek i cili nusja shtatzënë rrëfeu me detaje se si e helmoi vjehrrën.
Pavarësisht se nuk jetonte më me të, Marjana ishte e bindur që kjo e fundit i kishte bërë magji, ndaj vendosi që t’i merrte jetën.
Tek Hoxha Hysen Shehu, ajo u rrëfye për 72 minuta duke i treguar sesi e kishte bërë vjehrrën të pinte “lëngun magjik”, duke i thënë se ishte një pije e që e konsumonin të gjithë për të shmangur sherret në familje. Por në fakt, lëngu ishte ishte fostoksinë.
Hoxha e regjistroi të renë dhe e denoncoi në Polici. Kjo video, i shërbeu edhe Prokurorisë për të ngritur akuzën mbi nusen.
Vrasja ka ndodhur në datën 30 prill të 2017-ës. Në atë kohë, Çmeta ishte tetë muajshe shtatzënë dhe mendonte si ta mbyste vjehrrën. Marrëdhënie jo e mirë që kishte me Lirien aso kohe 47-vjeçe që mendonte se ishte pikërisht ajo shkaktarja që martesa e saj nuk po shkonte mirë.
Pas vrasjes ajo është rrëfyer te hoxha, ku ka zbuluar se çfarë ndodhi atë ditë, ndërsa lutej që ajo të vdiste dhe të mos merrej vesh e vërteta. Gjithashtu, në këto biseda, e reja ka treguar se si e joshi vjehrrën ta pinte lëngun e porotokallit me fostoksinë.
Dëshmia e Marjana Çmetës ka qenë tronditëse, një skenar i denjë për filma… “Kam dy vite e martuar me Olti Lamin. Marrëdhëniet tona nuk ishin të mira dhe unë kisha dyshime se në këtë ndikonte vjehrra.
Për këtë arsye ata ikën në banesën e tyre. Unë isha shumë e fiksuar vetëm te ajo. Një ditë vjehrra erdhi të blinte disa fidanë, pasi kishte shpërndarë qumështin. E pashë dhe e thirra, i thashë të vinte brenda se duhet të pajtoheshim.
I ofrova një lëng portokalli brenda së cilës kisha hedhur fostoksinë. Në një moment vjehrra filloi të përpëlitej, kaloi në agoni. Aty mendova se mora fund dhe nuk do mundja ta sillja në jetë fëmijën tim.
Ajo kërkonte të hapja dritaren, e mbylla fillimisht në dhomë, por zëri i saj sa vinte e rritej. Gjatë përleshjes arrita ti vë një shall për ta mbytur, pastaj me duar e mbyta deri sa dha shpirt”. Kështu ka deklaruar Marjana, e dëshpëruar para Hoxhës së zonës, i cili gjithashtu është i arrestuar.