Një tragjedi e rëndë ka ndodhur sot në Mesdheun Qendror, ku dy anije me emigrantë u fundosën pranë brigjeve të Lampedusës. Ky incident ka shkaktuar vdekjen e të paktën 22 migrantëve, ndërsa shumë të tjerë konsiderohen të zhdukur. Operacionet e shpëtimit janë në vazhdim e sipër.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), janë gjetur 20 trupa të pajetë, mes tyre edhe një i sapolindur, tre fëmijë, dy burra dhe dy gra, ndërsa të paktën 56 persona kanë mundur të shpëtohen. Ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në dy anijet, të cilat ishin nisur nga Zaviya dhe Tripoli.
Dinamika e tragjedisë dhe reagimet zyrtare
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, njëra nga anijet filloi të mbushej me ujë. Si pasojë, disa emigrantë kaluan në anijen tjetër, e cila, nga mbingarkesa, u përmbyt menjëherë.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, konfirmoi se dy anije u fundosën 14 milje detare larg Lampedusës. Kjo tragjedi e fundit thekson edhe një herë rrezikun fatal të rrugës së Mesdheut, e cila ka marrë jetën e mijëra njerëzve. UNHCR njoftoi se deri më tani këtë vit janë regjistruar 675 viktima në mesin e migrantëve që kanë tentuar të kalojnë Mesdheun. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Brendshme italiane, 38,263 migrantë kanë arritur në brigjet e Italisë këtë vit.