Shpesh fëmijët kalojnë një fazë kur nuk dëshirojnë të puthin apo përqafojnë prindërit dhe nuk duan që as ata ta bëjnë këtë veprim ndaj tyre. Ndonjëherë, situata mund të arrijë deri aty sa të thonë që “mami/babi nuk më do” dhe kaq mjafton që prindërit të vënë alarmin.
Në këndvështrimin e Lira Gjikës, kjo është një sjellje e shëndetshme. Pediatrja shpjegon në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se prindërit duhet të kënaqen kur e dëgjojnë këtë fjalë sepse tregon kurajën e tyre.
Lira Gjika: Mua më vjen mirë kur fëmijët kanë kurajë ta thonë këtë fjalë sepse sa më shumë informacion të marrësh, aq më shumë e njeh fëmijën dhe aq më të mira janë marrëdhëniet.
Agida Koçi: E thotë këtë gjë nga një kapriço apo nga një grumbullim emocionesh?
Lira Gjika: Fakti që e thotë kur gjen energjinë, mundësinë, kurajën, inatin që ta nxjerrë fjalën. I rrituri duhet ta mendojë. Një fëmijë që deklaron këtë, mua më duket që prindi duhet të kënaqet që fëmija arrin t’i thotë “s’të kam xhan”, të njohë të vërtetën e tij të brendshme. Të jetë i vëmendshëm ndaj këtyre fjalëve, t’i kërkojë të falur. Ne nuk u kërkojmë dot të falur fëmijëve. Ka filluar, nuk them, por nuk është një gjë në masë.
Katerina Trungu: Pra duhet ta marrim si një sinjal që diçka duhet të rregullojmë në raport me fëmijët?
Lira Gjika: Po, ty të duket shumë e mirë, fëmijës nuk i duket e tillë.