Një arratisje me makinë nga policia në orët e para të mëngjesit në Bolonja të Italisë, ka përfunduar me një tragjedi. Gazeta italiane “La Repubblica” raporton se një 18-vjeçar shqiptar, Valjero Maksuti, ka humbur jetën në një aksident të rëndë, ndërsa shoferi i mjetit, një 19-vjeçar, po ashtu shqiptar, ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Detajet e ngjarjes dhe ndjekja nga policia
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit në kryqëzimin e Via Murri dhe Via dei Lamponi. Dy të rinjtë po udhëtonin me një makinë tip Audi të vjedhur, kur u pikasën nga një patrullë policie. Pasi nuk iu bindën urdhrit për t’u ndalur, nisën një arratisje me shpejtësi të lartë nëpër rrugët e qytetit.
Sipas policisë, automjeti i patrullës nuk pati asnjë kontakt fizik me makinën e të rinjve, por thjesht e ndoqi nga pas. Shoferi 19-vjeçar humbi kontrollin e makinës, ndoshta për shkak të shpejtësisë, duke u përplasur fillimisht me një shtyllë dhe më pas me disa makina të parkuara.
Për pasojë, pasagjeri Valjero Maksuti ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa shoferi 19-vjeçar u dërgua me urgjencë në Spitalin Maggiore. Policia zbuloi se 18-vjeçari i ndjerë kishte precedentë penalë për vjedhje dhe rezistencë ndaj arrestit.
Kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, ka konfirmuar incidentin dhe falënderoi forcat e policisë për punën e tyre, duke shtuar se po presin rezultatet e hetimeve të plota për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
