Një skenë kaotike është regjistruar pasditen e së mërkurës në Melbourne, Australi, kur një automjet i tipit LandCruiser me ngjyrë të bardhë është futur me shpejtësi në ambientet e një qendre tregtare të mbushur me blerës. Incidenti ka shkaktuar panik të madh mes personave të pranishëm në momentin e ngjarjes.
Ngjarja e papritur ndodhi rreth orës 16:10 në Qendrën Tregtare Northland, e cila ndodhet në Murray Road, Preston, një zonë periferike e Melbournit. Sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes, automjeti ka thyer një nga hyrjet kryesore të qendrës tregtare dhe është futur me forcë në zonën e brendshme, duke detyruar njerëzit të fshiheshin me shpejtësi nëpër dyqane për të kërkuar siguri.
Autoritetet lokale kanë njoftuar se në automjet ndodhej vetëm një person, një burrë, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Dyshohet se shoferi po përpiqej t’i shpëtonte ndjekjes së policisë kur ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përfunduar brenda ambienteve të qendrës tregtare.
Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për ndonjë viktimë të lënduar nga ky incident. Policia e Melbournit ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të verifikuar identitetin e shoferit të automjetit. Zona përreth qendrës tregtare është izoluar për arsye sigurie, ndërsa shërbimet emergjente, përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe ambulancën, ndodhen në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të ofruar ndihmë nëse është e nevojshme. Hetimet paraprake do të fokusohen në përcaktimin e saktë të shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit dhe nëse shoferi ka qenë vërtetë duke u ndjekur nga policia.
BREAKING: A major emergency is unfolding at Northland Shopping Centre. There are reports a car has driven through the centre. https://t.co/5zYfOfGqUb #7NEWS pic.twitter.com/PpiqjetXDT
— 7NEWS Melbourne (@7NewsMelbourne) June 18, 2025