Një grup banorësh nga zona e Mirditës janë nisur ditën e sotme drejt Thethit, në një akt simbolik solidariteti me banorët e kësaj zone të Dukagjinit, të cilët po përballen me pasojat e aksionit të fundit të IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Iniciativa, e cila u zhvillua nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, synon të shprehë mbështetjen e mirditorëve për banorët e Shalës dhe Shoshit, duke theksuar sfidat me të cilat ata po përballen në lidhje me jetesën, trashëgiminë dhe të ardhmen në këto zona historike.
Një prej pjesëmarrësve në këtë udhëtim solidariteti u shpreh se kjo iniciativë është një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar dhe veprim konkret, duke e konsideruar atë më shumë se një akt simbolik. “Kur shteti kthehet në agresor, populli mbledh kanunin. Është një reagim për t’u mbrojtur. Kryeministri është kthyer në agresor, në njërën anë shkon para votimeve për t’u thënë i gëzofshi e në anën tjetër shkon e ua prish. Nuk ka pabesi më të madhe sesa t’i prishësh tokën e banesën e ndërtuar brez pas brezi,” – deklaroi një qytetar nga Mirdita.
Ish-deputeti Kujtim Gjuzi, i cili ka qenë i pranishëm në Theth edhe më parë, iu bashkua thirrjes së solidaritetit, duke përsëritur se kryeministri duhet të dëmshpërblejë banorët e Thethit për dëmet e shkaktuara.
Banorët mirditorë theksuan lidhjet historike mes Mirditës dhe Dukagjinit, duke u shprehur se “Mirdita ka qenë krah për krah me pjesën tjetër të Veriut në kohë vështirësish, sot rikonfirmon lidhjet e gjakut, të besës dhe të trashëgimisë kulturore me Dukagjinin”. Kjo iniciativë solidariteti vjen pas përfundimit të aksionit të IKMT-së në mbrëmjen e së hënës, duke treguar se mbështetja për banorët e Thethit vijon.