Skip to content

Lufta në Lindje, më në fund arrihet armëpushimi – Detajet

Shpresa për një armëpushim të ri në Gaza dhe lirimin e pengjeve të mbetura është rritur ndjeshëm pasi grupi i armatosur palestinez Hamas ka deklaruar se i ka dhënë një “përgjigje pozitive” ndërmjetësve në lidhje me propozimin e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë zyrtare, Hamas tha se është “seriozisht i gatshëm të hyjë menjëherë në një raund negociatash” me Izraelin nën kujdesin e ndërmjetësuesve. Megjithatë, grupi nuk ka konfirmuar nëse do t’i pranojë plotësisht kushtet e propozimit të paraqitur nga SHBA-të.

Një zyrtar i lartë palestinez, i njohur mirë me bisedimet, i tha BBC-së se Hamasi e ka pranuar kuadrin e përgjithshëm të propozimit, por ka kërkuar disa amendamente thelbësore. Një ndër kërkesat kryesore të Hamasit është marrja e një garancie nga Shtetet e Bashkuara se armiqësitë nuk do të rifillojnë nëse bisedimet e mëtejshme për t’i dhënë fund luftës 20-mujore dështojnë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një deklarate të premten, shprehu optimizmin se një marrëveshje për armëpushim në Gaza mund të arrihet brenda javës së ardhshme. Ai e mirëpriti faktin që Hamasi i është përgjigjur “me një frymë pozitive” propozimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të. Më herët, Trump kishte thënë se Izraeli kishte pranuar “kushtet e nevojshme” për një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit palët do të angazhoheshin për t’i dhënë fund konfliktit. Ai gjithashtu i bëri thirrje Hamasit të pranonte atë që e quajti “propozimi përfundimtar”, duke paralajmëruar grupin se situata mund të përkeqësohet nëse refuzojnë.

Plani i propozuar besohet se përfshin lirimin gradual të 10 pengjeve izraelite nga Hamasi dhe trupat e 18 pengjeve të tjerë në këmbim të një numri të pacaktuar të burgosurve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. Aktualisht, rreth 50 pengje izraelitë mbahen ende në Gaza, dhe besohet se të paktën 20 prej tyre janë ende gjallë.

Një element tjetër i rëndësishëm i propozimit është se sasi të konsiderueshme ndihme humanitare do të lejohen të hyjnë menjëherë në Gaza, me përfshirjen aktive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).

Sipas zyrtarit palestinez, një amendament tjetër kyç i kërkuar nga Hamasi lidhet me tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza. Propozimi i SHBA-së përfshin një tërheqje graduale nga disa pjesë të Gazës veriore dhe jugore. Mirëpo, Hamasi po insiston që trupat izraelite të kthehen në pozicionet që mbanin para se armëpushimi i fundit të dështonte në muajin mars, kur Izraeli rifilloi ofensivën e tij kundër grupit.

Përgjigja pozitive e Hamasit shihet si një hap i rëndësishëm përpara në përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një armëpushim dhe për të lehtësuar krizën humanitare në Gaza, ndërsa negociatat e mëtejshme pritet të jenë vendimtare për finalizimin e marrëveshjes.

Published inLajme