Shqipëria luan një duel të zjarrtë me Serbinë mbrëmjen e 7 qershorit në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shpreh se e ka në mendje formacionin që do të hedhë në fushë dhe se shpreson që të jenë 90 minuta për t’u shijuar.
“Ata janë një ekip i fortë. Kanë lojtarë të mirë si Mitroviç, Joviç, por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë. Nesër shpresojmë të kemi një ndeshje të bukur. Të gjithë trajnerit e përgatisin ndeshjen për ta fituar. Shpresoj të dhurojmë një ndeshje të bukur.
90 minuta janë të gjata dhe mund të ndodhë çdo gjë. Të shohim si do të shkojë rrugëtimi drejt Botërorit, por ne futemi në fushë për tre pikët. Shumë trajnerë ankohen për situatën e lojtarëve pas sezonit. Ka qenë një kalendar i ngjeshur. Por kemi bërë 5-6 ditë të mira trajnim. Por që nesër në orën 19:45 do të publikoj formacionin. Kjo është një skuadër komplet ndryshe,. Kemi dhe një stërvitje të fundit sot. E kam në mendje një formacion që mund ta hedh nesër në fushë, por që nesër do të vendosim”, tha Sylvinjo.
I pyetur për videon e kapur në mënyrë sekrete nga mediat serbe gjatë stërvitjes së Kombëtares shqiptare, tekniku Sylvinho u shpreh i qetë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur. Ata kanë parë ndeshjet tona të fundit. Dhe ne i kemi analizuar ndeshjet e tyre. Nuk mendoj se kanë kapur ndonjë element. Ata na njohin. Dhe ne i njohim. Të dyja kampet kanë lojtarë mjaft të njohur në arenën e futbollit botëror.
Është një ndeshje ndryshe. Por shpresoj të dhurojmë një ndeshje të bukur. Të dyja skuadrat kanë lojtarë të mirë. Uroj ta shijojmë. 22 mijë tifozët që do të jenë në stadium gjithashtu. Janë me fat ata që do jenë në stadium. Janë një lojtar shtesë për ekipin tonë. Unë doja të sillja dhe babain tim nga Brazili që të shijonte këtë ndeshje, por ishte një udhëtim shumë i gjatë. Shpresoj që të gjithë nesër ta shijojnë këtë duel”, tha Sylvinho.
Ai i ka bërë thirrje ekipit të tij që lojtarët të japin shpirtin në fushë, pasi është shansi i tyre në këto 90 minuta të tregojnë aftësitë që kanë.
“Unë kam luajtur ndeshje të mëdha përgjatë karrierës time, por e kam bërë këtë gjë 15 vite më parë, kur rrjetet sociale nuk ishin një gjë kaq e madhe sa sot. Në kohën time ishte më e lehtë. Me këtë gjeneratën e re, duket sikur janë më të fokusuar te rrjetet sociale.
Mesazhi im është që në këto 90 minuta keni mundësinë të bëni diçka të mirë dhe të lini shpirtin në fushë. E thashë dhe më parë, të dyja skuadrat janë të përgatitura. Kur flasim për futbollin, flitet në fushë. Nga ana tjetër, edhe ata dhe ne kemi lojtarë të mirë. Ata kanë një trajner të shkëlqyer dhe ne kemi një trajner shumë të mirë. Kështu që do të flasim vetëm me futboll”, tha Sylvinho.