Teksa kryeministri Edi Rama përgatitet për fjalimin e fitores dhe Partia Socialiste feston mandatin e katërt qeverisës, në selinë blu situata është krejt tjetër. Mbrëmjen e së mërkurës, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha mblodhi drejtuesit e qarqeve për të analizuar humbjen dhe për të shfaqur edhe një herë mosnjohjen e rezultatit.
Në një konferencë për mediat pas mbledhjes, Berisha përsëriti pretendimet e tij për një proces të manipuluar, duke deklaruar se “zgjedhjet janë grabitur” dhe se Partia Demokratike nuk i njeh si legjitime. I pyetur se çfarë u thotë demokratëve që për katër vite të tjera do të mbeten në opozitë, ai u përgjigj me akuzat e zakonshme për vjedhje të votës dhe presione ndaj qytetarëve.
Pas takimit, demokratët u treguan të rezervuar për vendimet që do të ndjekin, duke thënë se një analizë e thelluar do të bëhet në ditët në vijim dhe çdo vendim do të merret “në kohën e duhur”.
I vetmi që foli me më shumë qartësi ishte nënkryetari Edi Paloka, i cili deklaroi se hapi i parë do të jetë mbledhja e provave që sipas tij vërtetojnë manipulimin, blerjen dhe vjedhjen e zgjedhjeve. Sipas Palokës, ky është një plan i strukturuar mirë, që synon të godasë në rrënjë legjitimitetin e këtij procesi dhe të nxjerrë në pah shkeljet masive që kanë ndodhur gjatë fushatës dhe ditës së votimit.
Ai përmendi raste konkrete të punonjësve të administratës që sipas tij “iknin me vrap nga qendrat e votimit për të mos u identifikuar nga kamerat”, si dëshmi e një skeme presioni dhe manipulimi të organizuar në favor të qeverisë.
Partia Demokratike duket se po përgatitet për një betejë të gjatë politike dhe ligjore, duke e konsideruar rezultatin jo si një humbje, por si një produkt të dhunimit të votës së lirë. Tani mbetet për t’u parë nëse ky qëndrim do të shndërrohet në një strategji të qartë opozitare apo do të mbetet një tjetër episod i akuzave të zakonshme pas çdo palë zgjedhjesh të humbura.