Skip to content

Nisen goditjet me te fuqishme, ja cpo ndodh ne Lindjen e Mesme!

Situata në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë alarmante, me zhvillime që po tejkalojnë çdo parashikim diplomatik dhe ushtarak. Konflikti mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Irani po merr përmasa të gjera rajonale, ndërsa “lojtarë të rinj” po hyjnë në skenë, duke e zhvendosur krizën drejt një përplasjeje me pasoja të paparashikueshme globale.

Në ditën e tretë të luftimeve, Irani ka zgjeruar frontin. Teherani ndërmori sulme me raketa që goditën edhe zona në Bejrut, në një kundërpërgjigje ndaj raketave të lëshuara nga Hezbollah. Paralelisht, bombardimet mbi kryeqytetin iranian vazhduan pa ndërprerje.

Burime për mediat bëjnë me dije së fundmi se mbrëmjen e kësaj të hëne, shpërthime të fuqishme tronditën pjesë të ndryshme të Teheranit, përfshirë zonat pranë ndërtesave televizive dhe kompleksit qendror të burgut.

Ushtria e Izraelit lëshoi paralajmërim për evakuim për banorët e Teheranit, duke specifikuar zonën përreth selisë së transmetimit shtetëror si objektiv të mundshëm. Paralajmërime të ngjashme u dhanë edhe për disa qytete në Liban, duke sinjalizuar një zgjerim të mëtejshëm të operacioneve ushtarake.

Ndërkohë, Irani ka nisur valë të reja sulmesh ndaj Izraelit dhe objektivave të lidhura me aleatët e tij në rajon. Raportohet për sulme në Katar, Bahrein, Jordani, Omani, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e shtrirë krizën në një hark të gjerë gjeografik.

Sakaq raportohet se Kuvajti ka rrëzuar aksidentalisht një avion luftarak amerikan F-15, duke shtuar tensionin mes forcave aleate. Ndërkohë, ushtria amerikane konfirmoi se gjashtë pjesëtarë të saj kanë humbur jetën që nga fillimi i përballjes me Iranin. Së fundmi, u gjetën trupat e dy ushtarakëve të zhdukur nga një strukturë e goditur gjatë sulmeve fillestare iraniane. Identitetet e tyre do të mbeten konfidenciale deri në njoftimin e familjarëve.

Related article  SHBA shpall “Non Grata” politikanin e lartë. Emri...

Ambasada amerikane në Aman u evakuua përkohësisht “për shkak të një kërcënimi”, sipas një alarmi sigurie, pa u dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën e rrezikut.

Në Moskë, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, paralajmëroi për rrezikun e një konflikti global. Në një reagim për agjencinë TASS, ai u pyet nëse bota është tashmë në prag të Luftës së Tretë Botërore.

“Zyrtarisht, jo. Por nëse Trump vazhdon rrugën e tij irracionale drejt ndryshimit të regjimit, kjo padyshim do të fillojë. Çdo ngjarje mund të jetë shkaku,” deklaroi Medvedev.

Related article  E rëndë në Tiranë! Krim në familje, vëllai qëllon vëllanë – Detajet e fundit

Në planin diplomatik, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar me presidentin Trump dhe për të diskutuar zhvillimet dramatike në Lindjen e Mesme.

Bilanci humanitar po rëndohet nga ora në orë. Sipas qeverisë libaneze, të paktën 52 persona janë vrarë dhe 154 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite në jug dhe lindje të Libanit, si dhe në periferitë jugore të Bejrutit. Shifrat janë rritur ndjeshëm nga raportimi i mëparshëm i Ministrisë së Shëndetësisë. Njësia qeveritare për menaxhimin e fatkeqësive njofton se mbi 28,500 persona janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve.

Published inLajme