Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur konfiskimin e 14 pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të biznesmenit Marsel Arani, me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit. Vendimi vjen në kuadër të një procedure të zgjeruar pasurore, në vijim të hetimeve për veprimtari kriminale dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, Marsel Arani rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore në Itali, për veprën penale të shfr*tëzimit të pro*titucionit. Hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet italiane zbuluan se Arani kishte përfituar të ardhura të konsiderueshme nga kjo veprimtari e paligjshme, të cilat më pas i kishte kanalizuar përmes transaksioneve financiare dhe investimeve në Shqipëri.
Prokuroria evidentoi një skemë të sofistikuar të pastrimit të parave, ku të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal në Itali përdoreshin për të blerë pasuri të ndryshme në Shqipëri, me qëllim legjitimimin e burimit të tyre.
Pas analizës së provave dhe përfundimit të procedurave gjyqësore, u vendos konfiskimi i pasurive të mëposhtme:
Një apartament në qytetin e Durrësit; 10 automjete të markave: Mercedes Benz, Suzuki Grand Vitara, Volkswagen (3 njësi), Jeep, Fiat Marea, Maserati, BMW (2 njësi), Audi SQ7; 1 motomjet BMW; Një aktivitet tregtar me fushë veprimtarie “Tregti automjetesh dhe dhënie mjetesh me qira” në qytetin e Elbasanit.
Ky vendim nënvizon përkushtimin e autoriteteve shqiptare për të luftuar krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, veçanërisht në rastet kur aktivitetet kriminale zhvillohen jashtë vendit, por përfitimet e tyre investohen brenda territorit shqiptar.
Autoritetet theksojnë se procedura të ngjashme do të vijojnë edhe në raste të tjera, në kuadër të zbatimit të ligjit antimafia dhe forcimit të kontrollit mbi burimet financiare të dyshimta.