Një incident i dhunshëm ka ndodhur në Rrugën e Kavajës në kryeqytet, duke përfshirë dy persona të moshës 45 dhe 38 vjeç. Konflikti, i cili rrezikoi të përshkallëzohej në pasoja më të rënda, u neutralizua në kohë nga forcat e Policisë së Tiranës.
Sipas informacioneve paraprake, 45-vjeçari me iniciale F. G., dyshohet se ka goditur me thikë një 38-vjeçar me iniciale N. M., pas një mosmarrëveshjeje për motive të dobëta. Pas plagosjes, autori i dyshuar ka tentuar të fshehë armët që posedonte pa leje.
38-vjeçari i plagosur ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar, F. G., u arrestua nga policia pak orë pas incidentit. Gjatë operacionit të koduar “Gold”, policia ka sekuestruar një armë zjarri të llojit kallashnikov dhe thikën e përdorur në sulm, të cilat ishin fshehur në rrugën “Mujo Ulqinaku”.
Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht në lidhje me ngjarjen: “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit se në Rrugën e Kavajës, po konfliktoheshin 2 shtetas, kanë organizuar punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit. Në kuadër të operacionit të koduar “Gold”, u arrestua në flagrancë shtetasi: F. G., 45 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se është konfliktuar me shtetasin N. M., 38 vjeç, dhe e ka goditur atë, me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta. 38-vjeçari mori ndihmën mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Më pas, shtetasi F. G. ka marrë në banesën e tij, një armë zjarri kallashnikov që e posedonte pa leje dhe e ka fshehur në rrugën “Mujo Ulqinaku”, bashkë me thikën me të cilën ka kryer plagosjen.”
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë.