Skip to content

LAJM I FUNDIT – Shpërthim me tritol – Detajet e para

Një shpërthim me tritol u regjistrua mëngjesin e kësaj të premte në kryeqytet, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke ngritur dyshime për larje hesapesh. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:45 të mëngjesit të sotëm, ku një sasi e vogël lënde plasëse dyshohet se plasi në hyrje të një lokali në pronësi të shtetasit Arbër Sinani.

Siç bënë me dije blutë më herët, lënda plasëse ishte vendosur pranë derës hyrëse të biznesit të Sinanit, në Rrugën e Durrësit. Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Menjëherë pas ngjarjes, një grup hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave. Policia ka sekuestruar kamerat e bizneseve përreth me qëllim për të zbardhur këtë ngjarje. Megjithatë, vlen të theksohet se dy kamerat e sigurisë në subjektin e Sinanit nuk janë të pajisura me DVR, gjë e cila mund të vështirësojë punën e hetuesve.

Vetë Arbër Sinani ka deklaruar para policisë se nuk ka dijeni se kush mund ta ketë bërë këtë veprim dhe se nuk ka pasur konflikt me asnjë. Në vendin tonë, ky shtetas rezulton të jetë “i pastër” dhe nuk ka asnjë precedent penal.

Megjithatë, burime për mediat bëjnë me dije se prej disa kohësh ai ka jetuar në Gjermani, ku dhe dyshohet se mund të ketë qenë i përfshirë në aktivitete ilegale me lëndë narkotike. Sipas të njëjtave burime, thuhet se kjo ngjarje mund të ketë ardhur si “paralajmërim” për Sinanin, për shkak të “pazareve të drogës”.

Policia njoftoi më herët: “Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”

Hetimet pritet të thellohen për të zbardhur motivet e vërteta të këtij shpërthimi dhe për të identifikuar autorët, si dhe për të verifikuar lidhjet e mundshme të pronarit të lokalit me aktivitete kriminale jashtë vendit.

Published inShowbizz