Një incident i armatosur ka ndodhur pas mesnatës së kaluar në Kavajë, duke shkaktuar plagosjen e një të riu. Ngjarja është regjistruar pranë rreth-rrotullimit të Golemit, ku si pasojë ka mbetur i plagosur 22-vjeçari Luiz Sheqi.
Sipas burimeve, Luiz Sheqi është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ku raportohet se ka marrë plagë në këmbë.
Autor i dyshuar për këtë plagosje është identifikuar nga policia si shtetasi Shpëtim Dedja, 36-vjeç, banues në Golem. Ai është arratisur nga vendi i ngjarjes pas krimit dhe tashmë është shpallur në kërkim nga forcat e rendit. Burime bëjnë të ditur se mes dy personave ka pasur edhe një konflikt të mëparshëm, duke hedhur dritë mbi mundësinë e një zënke të vjetër që ka kulmuar me përdorimin e armës së zjarrit.
Në njoftimin e policisë thuhet: “Dyshohet se plagosi me armë zjarri 21-vjeçarin, Policia identifikon 36-vjeçarin dhe po punon për kapjen e tij. Në orët e para të mëngjesit, në spitalin e Durrësit, është dërguar për mjekim, shtetasi L. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës, me dëmtime në këmbë, të dyshuara të shkaktuara me armë zjarri. Ai po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet dyshohet se autori i plagosjes është shtetasi Sh. D., 36 vjeç, banues në Golem. Po punohet për kapjen e tij dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.”
Policia është angazhuar në kërkime intensive për kapjen e 36-vjeçarit Shpëtim Dedja dhe po punon për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në këtë incident të armatosur.