Skip to content

LAJM I FUNDIT – Sërish përplasje e madhe mes policisë dhe banorëve

Qetësia në fshatin turistik të Thethit nuk ka zgjatur shumë. Me mbërritjen në zonë të Drejtorit të zbatimit të vendimeve në Institutin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Fatmir Mete, situata ka degraduar sërish, duke rritur tensionin mes banorëve dhe forcave të zbatimit të ligjit.

Fatmir Mete ka deklaruar se IKMT do të vijojë me zbatimin e ligjit, duke konfirmuar se në total janë rreth 70-80 objekte të cilat do të shemben. Ai u përgjigj kritikave për kohën e zgjedhur për këtë aksion, në kulmin e sezonit turistik, duke argumentuar se turizmi në Theth është i pranishëm në të katër stinët e vitit. “Ne do të zbatojmë ligjin, do të prishim objektet që janë me bazë ligjore për t’u prishur. Janë rreth 70-80 objekte. Sipas ligjit ne kemi bërë njoftim me ditë të tëra, na është premtuar që do i ç’montojmë. Kjo është hera e tretë që vijmë këtu. Sipas ligjit afati për ti hequr vetë është 5-ditor por kanë kaluar 15 ditë nga njoftimi. 70 objektet janë ndërtime të reja dhe këtu po bëhët një baterdi. Banorët duhet të jenë të shqetësuar për ta mbrojtur këtë zonë. Nuk themi që jemi në sezon turistik sepse këtu ka turizëm në çdo stinë,” – u shpreh Mete.

Në anën tjetër, banorët e Thethit ndodhen në dëshpërim. Bekim Koçeku, një banor me aftësi të kufizuara, i cili rrezikon t’i prishen 5 shtëpiza druri, shprehet me lot në sy për situatën e tij dhe të familjes. “Të gjitha janë druri e duan të mi prishin. Unë jam në kredi. Më mirë futëm nën rrota të vdes edhe unë,” – tha Koçeku, duke shprehur gjendjen e rëndë psikologjike.

Edhe motra e Bekim Koçekut ka ndarë dhimbjen dhe shqetësimin e familjes. “Unë jam motra e Bekim Koçekut që kemi ndërtuar 5 shtëpiza druri. Bekimi ka hy në kredi, ka lënë pensionin për të ndërtuar e ndihmuar familjen e vet. Edhe nëse vdesim këtu ne nuk e lëshojmë këtë vend sepse është toka e babës dhe gjyshit. Vëllain e ka vrarë zoti boll se është pa durë, pa këmbë e tani me e vra dhe shteti. Shihi familjen, fëmijët si rrinë, nuk e marrin veten nga kjo traumë,” – u shpreh ajo.

Banorët e Thethit gjithashtu pretendojnë se herë pas here kanë paguar rryshfete tek titullarë të institucioneve, të cilët i kanë siguruar se banesat e tyre nuk do të prisheshin. Ata kërkojnë shtyrje të afateve, pasi në disa prej këtyre banesave po qëndrojnë aktualisht turistë. Megjithatë, mbërritja e drejtuesit të IKMT nga qendra ka sjellë një riforcim të aksionit dhe agravim të mëtejshëm të situatës në Theth.

Published inLajme