Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur dhe theksuar urdhrin e tij për shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative në bashkitë e vendit, duke vendosur si afat të fundit ditën e hënë. Ky mesazh i prerë u komunikua gjatë një mbledhjeje me kryebashkiakët e Shqipërisë, ku Rama shpalosi arsyet e këtij vendimi drastik.
Në fjalën e tij, Rama falënderoi kryebashkiakët dhe shprehu shpresën se deri të hënën të gjithë kryetarët e njësive administrative do të jenë larguar nga detyra. Ai argumentoi se numri rekord i votave të marra në zgjedhjet e 11 majit ka rritur diferencën mes anëtarëve të ngushtë të partisë dhe atyre që e mbështesin Partinë Socialiste dhe besojnë në vizionin e saj.
“Faleminderit dhe shpresoj që ditën e hënë të gjithë kryetarët e njësive administrative të jenë të shkarkuar. Votat që kemi marrë më shumë se çdo herë e kanë rritur diferencën mes anëtarëve të partisë dhe atyre që e duan këtë parti në krye. Ne duhet të zgjerojmë hapësirën dhe për ata që nuk na njohin, por që na kanë dhënë votën dhe na kanë besuar që ne mund të bëjmë më mirë,” – u shpreh Rama, duke theksuar nevojën për t’u dhënë mundësi njerëzve të rinj dhe atyre që e kanë votuar, pavarësisht nëse janë pjesë e strukturave të partisë.
Kryeministri ishte i qartë se ky vendim synon t’i hapë rrugën kontributit të njerëzve të rinj në qeverisjen vendore. “Shqipërinë në BE nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime, duhet të bëjmë të njëjtat gjëra. Duhet t’u japim mundësi njerëzve që të kontribuojnë për këtë vend. Drejtorë e kryetarë njësish, shumica dërrmuese, duhet të shohësh si lulëzojnë barërat e këqij për të parë si funksionojnë,” – theksoi Rama, duke nënkuptuar se performanca e shumë prej kryetarëve aktualë të njësive lë për të dëshiruar.
Sipas Ramës, rezultati i zgjedhjeve të 11 majit tregoi një rritje të besimit të qytetarëve tek Partia Socialiste, dhe kjo mbështetje duhet të reflektohet edhe në mundësinë për individë të rinj e të motivuar për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Kërkesa e prerë për shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative brenda pak ditësh sinjalizon një reformë të thellë në nivelin vendor, e motivuar nga dëshira e Kryeministrit për të injektuar energji të re dhe për të përmbushur pritshmëritë e zgjedhësve.