Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të premte një paketë të re masash për forcimin e kontrollit mbi territorin dhe ndërtimet, me fokus të veçantë tek transparenca, siguria dhe lufta kundër informalitetit në sektorin e ndërtimit.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Durrës me të gjithë kryetarët e bashkive të vendit, kreu i qeverisë bëri të ditur se çdo kantier ndërtimi në Shqipëri do të duhet të pajiset me kamera sigurie që transmetojnë 24 orë në kohë reale, si dhe me GPS për ndjekjen e aktivitetit të tyre logjistik.
“Të gjitha ndërtimet që kanë impakt në jetën e lagjeve gjatë periudhës së zhvillimit duhet të kenë kamera online 24 orë dhe të monitorohen nga strukturat e inspektimit,” – deklaroi Rama.
“Kantierët do të pajisen gjithashtu me GPS, për të kontrolluar qarkullimin e automjeteve, hedhjen e mbetjeve, si dhe për të identifikuar rastet e evazionit në sasinë e materialeve që hyjnë e dalin,” shtoi ai.
Në fjalën e tij, kryeministri nënvizoi edhe përgjegjësinë e arkitektëve, duke paralajmëruar se ata që bashkëpunojnë me ndërtuesit në shkelje të ligjit rrezikojnë humbjen e licencës dhe përballjen me pasoja penale.
Një tjetër masë e rëndësishme që pritet të hyjë në fuqi ka të bëjë me ndalimin e lidhjes së ujit dhe energjisë elektrike për objektet pa leje ndërtimi. Sipas Ramës, askush nuk do të marrë miratimin për t’u lidhur me rrjetin energjetik ose ujesjellës nëse nuk zotëron një leje ndërtimi të rregullt.
“Mjaft më me ndërtime të paligjshme që më pas përfitojnë shërbime si çdo ndërtim tjetër. Do të ndalohet lidhja me ujë dhe drita për çdo objekt që nuk është i licencuar,” – përfundoi Rama.
Këto masa vijnë në një periudhë ku debati mbi abuzimet urbanistike dhe zaptimin e territorit ka qenë në qendër të vëmendjes publike dhe institucionale. Qeveria premton një fazë të re kontrolli të rreptë, ku teknologjia do të luajë një rol kyç në mbikëqyrjen dhe verifikimin e çdo ndërtimi në vend.