Skip to content

LAJM I FUNDIT – Nisin hetimet për çështjen e bujshme

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar zyrtarisht nisjen e hetimeve në lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Dy muaj pas fluturimit të parë certifikues, SPAK ka regjistruar procedim penal dhe hetimet ndodhen në fazën paraprake.

SPAK njoftoi se hetimet lidhen me kontratën konçensionare të aeroportit, pronar i së cilit është kompania “Mabco Constructions” e biznesmenit shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli. Sipas të dhënave, “Mabco Constructions” zotëron 98% të aksioneve, ndërsa 2% i mbetur është në pronësi të kompanisë “2A Group SH.P.K.”.

Organi i akuzës është duke hetuar në detaje teknike marrëveshjen e koncesionit mes kompanisë së Pacollit dhe shtetit shqiptar, si dhe kontratën për ndërtimin e infrastrukturës së aeroportit. Një nga pikat kryesore të hetimit duket se është garancia që Qeveria shqiptare ka marrë përsipër për fitimin e munguar të koncesionarit. Sipas dokumenteve të bëra publike, shteti ka garantuar 138 milionë euro të ardhura për 10 vitet e para të operimit, në rast se trafiku i pasagjerëve nuk arrin nivelet e pritshme.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një model të ndarjes së fitimeve, ku shteti do të marrë 50% të të ardhurave vetëm nëse trafiku i pasagjerëve tejkalon skenarin më optimist të parashikuar. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një investim prej 104 milionë eurosh dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 309 hektarësh.

Dy vite më parë, kompania e Behgjet Pacollit me bazë në Lugano, Zvicër, kishte nënshkruar një marrëveshje siguruese me Bankën Kombëtare Tregtare, si garanci për një kontratë kredie në vlerën e 56 milionë eurove. Nisja e hetimeve nga SPAK dy muaj pas fluturimit të parë certifikues tregon për fokusin e veçantë të organit të akuzës ndaj këtij projekti strategjik të infrastrukturës.

Published inLajme