Lindja e Mesme ndodhet në prag të një konflikti të gjerë, teksa Irani ka nisur sulme hakmarrëse ndaj forcave amerikane në Katar dhe Irak, pas sulmeve të SHBA-së ndaj bazave të tij bërthamore dy ditë më parë. Agjencia e lajmeve Reuters raporton për një seri shpërthimesh mbi Doha, kryeqytetin e Katarit. Nga raportimet mësohet se Irani ka lëshuar gjashtë raketa në drejtim të bazës amerikane Ajrore Al Udeid.
Katari është shtëpia e bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe rreth 8,000 qytetarë amerikanë jetojnë atje. Kjo është edhe arsyeja përse Teherani zgjodhi të sulmonte këtë bazë të parën. Irani konfirmoi sulmin gjatë një transmetimi televiziv shtetëror, duke e quajtur atë “një përgjigje të fuqishme dhe të suksesshme nga ana e forcave të armatosura të Iranit ndaj agresionit të Amerikës”, sipas AP. Si kundërmasë, Katari mbylli hapësirën e tij ajrore përkohësisht për të siguruar sigurinë e qytetarëve të tij, duke u bërë thirrje më herët Ambasada Amerikane në Doha qytetarëve amerikanë të strehoheshin.
Ndërkohë, një bazë ushtarake amerikane në provincën Hasakah të Sirisë u sulmua me predha mortajash, pak orë pasi tre objekte bërthamore brenda Iranit u goditën nga sulmet ajrore amerikane. Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve “Mehr” raportoi se sulmi besohet të jetë kryer nga milicitë e mbështetura nga Irani, si një masë hakmarrëse në përgjigje të sulmeve ajrore amerikane të autorizuara nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Teherani kishte paralajmëruar më herët se objektet ushtarake amerikane në rajon do të bëheshin “objektiva legjitime” nëse Uashingtoni përshkallëzonte operacionet.
Njëkohësisht, Izraeli ka nisur atë që e ka përshkruar si një ofensivë të madhe kundër infrastrukturës së lidhur me regjimin në Teheran dhe qytete të tjera kyçe iraniane. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan sulmet në disa vende strategjike, duke përfshirë institucionet shtetërore, qendrën e komandës së sigurisë së brendshme të Gardës Revolucionare dhe vende simbolike. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se IDF po godiste me intensitet elementët e regjimit dhe organet qeveritare të shtypjes brenda Teheranit, në përputhje me udhëzimet e kryeministrit Netanyahu. IDF raportoi gjithashtu sulme të reja ajrore në qytete në Iranin verior dhe perëndimor, duke përfshirë Tabriz, Kermanshah, Karaj dhe vetë Teheranin. Qindra anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) thuhet se u vranë në sulmet izraelite më 23 qershor.
Këto zhvillime të fundit shënojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të armiqësive midis Iranit dhe vendeve perëndimore, duke rritur frikën e një konflikti më të gjerë rajonal me pasoja të paparashikuara.