Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Malaga, Spanjë, ku një nën-inspektor i Policisë Kombëtare Spanjolle, 48 vjeç, dhe tre persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale shqiptare, kanë humbur jetën pas një përplasjeje frontale mes dy automjeteve.
Sipas raportimeve, ngjarja tragjike zot fill pas një tentative për grabitje në një farmaci të ndodhur në rrugën Lope de Rueda, në lagjen Puerto de la Torre. Tre grabitësit, që besohet të jenë pjesë e një bande të njohur shqiptare, tentuan të grabisin farmacinë, por pasi dështuan, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një automjet të fuqishëm. Policia Kombëtare dhe ajo lokale u vunë menjëherë në ndjekje të tyre.
Agjencia EFE raporton se gjatë arratisjes me shpejtësi, grabitësit bënë një manovër të gabuar duke u futur në sens të kundërt në autostradën A-7 në drejtim të Torremolinos. Pikërisht në këtë moment ndodhi përplasja fatale me automjetin e nën-inspektorit 48-vjeçar, i cili nuk ishte pjesë e operacionit policor, por po kthehej në shtëpi pas përfundimit të turnit të natës.
Përplasja e fuqishme shkaktoi shpërthimin në flakë të të dy automjeteve. Sipas autoriteteve të Këshillit të Qytetit të Malagës, ekipet e zjarrfikësve mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes dhe nxorën trupat e pajetë nga mjetet e djegura. Tre personat që ndodheshin në automjetin e grabitësve u gjetën të pajetë, ndërsa oficerët e Policisë Lokale arritën të nxjerrin nga makina nën-inspektorin, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë gjithashtu Garda Civile, Policia Kombëtare dhe shërbimet e urgjencës 061. Hetimet lidhur me aksidentin tragjik po drejtohen nga Departamenti i Trafikut i Gardës Civile.
Nën-inspektori i ndjerë ishte baba i dy fëmijëve dhe kishte mbi 20 vite shërbim në polici. Ngjarja e rëndë ka tronditur thellë opinionin publik në Spanjë, dhe autoritetet lokale kanë shprehur ngushëllimet e tyre të sinqerta për familjen e viktimës.