Skip to content

LAJM I FUNDIT – Gjykata e Hagës merr vendimin për Thaçin dhe të tjerët

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar plotësisht mocionin e paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Mocioni synonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuzat e tyre, veçanërisht ato që lidheshin me ngjarje të ndodhura para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.

Arsyetimi i Gjykatës
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, shpjegoi se incidentet dhe ngjarjet e kundërshtuara nga mbrojtja nuk konsiderohen si akuza të veçanta, por si pjesë përbërëse e akuzave ekzistuese. “Ajo çfarë kundërshton mbrojtja nuk është një akuzë, por është një pjesë e një akuze në formën e fakteve të materialeve të caktuara,” theksoi Smith, duke shtuar se këto fakte përbëjnë vetë akuzat apo pikat e aktakuzës.

Sipas Smith, Rregulla 130 e Rregullores së Procedurës dhe Provave nuk i jep trupit gjykues kompetencën për të rrëzuar pjesë të veçanta të akuzës që përmbajnë fakte materiale, përveçse nëse ato përbëjnë akuza të pavarura. Ai theksoi se interpretimi i kësaj rregulle kërkon një shqyrtim të plotë të çdo pike të aktakuzës, dhe jo të çdo fakti individual që kontribuon në ndërtimin e saj.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130,” u shpreh gjykatësi.

Krime kundër Njerëzimit dhe Kohëzgjatja e Konfliktit
Gjyqtari shtoi se shumë nga faktet në fjalë lidhen me krime kundër njerëzimit, për të cilat, ndryshe nga krimet e luftës, nuk është e domosdoshme të provohet ekzistenca e një konflikti të armatosur. Për këtë arsye, edhe nëse argumentet e mbrojtjes do të pranoheshin, ato nuk do të çonin në rrëzimin e ndonjë pike të aktakuzës.

“Trupi gjykues nuk është bindur që ka autoritet sipas Rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose materiale që formojnë pjesë të aktakuzës, qoftë për arsye kohore apo të tjera,” theksoi Smith, duke konfirmuar rrëzimin e mocionit në tërësinë e vet.

Rregulla 130 dhe Zhvillimet e Mëtejshme
Rregulla 130 i lejon mbrojtjes të paraqesë kërkesë për të rrëzuar një apo më shumë akuza specifike nëse pretendon se provat e Prokurorisë nuk janë të mjaftueshme për t’i mbështetur ato. Qëllimi i kësaj rregulle është të mos lejohet që një aktakuzë e pabazuar të kalojë në gjykim të plotë.

Më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast. Aktakuza e konfirmuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u dorëzua më 30 shtator 2022 dhe përmban dhjetë pika, ku të akuzuarit ngarkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe hetojnë krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Published inShowbizz