Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së përsëritur të Unionit të Gjyqtarëve për rritje pagash përmes Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si një praktikë të paprecedentë dhe të dëmshme për ekzekutivin dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Me anë të një postimi në platformën X, Rama shprehet se Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar rritjen e pagave në gjykatë për herë të dytë brenda tre viteve, ndërsa e ka konsideruar kërkesën e tyre si një shaka të hidhur që nuk duhet të përsëritet.
“Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve. Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!”, thekson Rama në reagimin e tij.
Kryeministri e quan këtë ndërhyrje të gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit “skandaloze” dhe shprehet se duket se i ka “shijuar” Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve, këtë herë duke kërkuar lidhjen e pagës bazë vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe ndryshimin e ligjit. Rama thekson se ndërkohë që në vitin 2022 Unioni kërkonte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro.
Rama argumenton se ky Union e kuptoka si një “privilegj të përjetshëm” rritjen e pagave të sistemit të drejtësisë menjëherë pas Reformës në Drejtësi, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë. Ai shprehet se sipas Unionit, kjo republikë do të jetë “përjetësisht e vetmja në botë, ku gjyqtarët nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…”
Në fund të reagimit të tij, Rama shpreh shpresën që ajo që e quan “shaka e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë” të mos përsëritet, duke shtuar se heshtja ndaj çfarëdo abu,zimi nuk është më një opsion dhe se në këtë rast do të ishte një abu,zim madhor që do të cenonte Kushtetutën dhe seriozitetin e Republikës së Shqipërisë.