Skip to content

Lahesha me kanaçe, s’kisha as…! Salianji rrëfen jetën në burg, ja cfare me benin policet

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për herë të parë me detaje mbi përvojën e tij pas grilave, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë”. Ai e ka cilësuar dënimin e tij si një padrejtësi të pastër me prapavijë politike, ndërsa nuk i kurseu përshkrimet për realitetin e ashpër të burgut të Fierit, ku ai u mbajt për disa javë.

Salianji deklaroi se ndonëse përballja me burgun ishte një sprovë e rëndë në aspektin personal, politikisht ai e konsideron këtë dënim si një “medalje nderi”. Madje, ai bëri të ditur se ka nisur punën për një libër rrëfyes mbi këtë eksperiencë, ku do të përshkruajë jo vetëm aspektin njerëzor dhe emocional të jetës në qeli, por edhe përmasën që ai e cilëson si abuzim institucional.

“Nuk kam nevojë për një post për të vijuar angazhimin publik,” tha ai. “Për pesë vite, me këtë vendim, më ndalohet të jem deputet. Por në planin politik, kjo është një medalje. Ky është një regjim që do të kishte vendin e vet në një muze kujtese për padrejtësitë ndaj kundërshtarëve politikë.”

Ai nënvizoi se ishte dënuar për “kallëzim të rremë” pa bërë fare kallëzim dhe pa pasur ndonjë akuzë për korrupsion apo vepra të tjera penale. Sipas tij, e gjithë ngjarja ishte një hakmarrje politike për shkak të pozicionit të tij në zgjedhje. “Më futën në burg sepse isha pengesë. Dhe kjo ndodhi në një sistem që pretendohet të jetë demokratik,” shtoi Salianji.

Ai përshkroi ditët e para të paraburgimit si më të rëndat: “Në qeli numërohen edhe orët. Ajo që ta rëndon më shumë qëndrimin aty nuk është qelia vetë, por padrejtësia që të ka sjellë aty. Dhe në kushte elementare, mungesa e ujit, larja me kanaçe – është diçka që të lë gjurmë. Po për këtë do të shkruaj më gjatë në librin që kam nisur.”

Nga ana njerëzore, ai u shpreh pozitivisht për stafin e burgut të Fierit, duke i cilësuar si profesionistë dhe korrektë. “Por realiteti i atij vendi nuk ngjan fare me përfytyrimet që ka një qytetar i lirë. Duhet të shkruash me dorë, të shohësh një televizor të vogël e të mbash mend çdo instinkt të lirë që e humbet brenda ditës.”

Salianji tregoi edhe për momentin kur mbërriti në burg: “Ishin të dënuar që thërrisnin ‘Rama ik’. Kjo më dha forcë, sepse kuptova se edhe ata që janë atje – ndoshta të pafajshëm, ndoshta të dënuar me të drejtë – e ndjenin padrejtësinë e asaj që po më ndodhte mua.”

Për Salianjin, qëndrimi në burg nuk është fundi i rrugës politike, por një pikë kthese që ai do ta kthejë në simbol të qëndresës dhe denoncimit të padrejtësive. “Do të jem edhe më i fortë, edhe më i vendosur. Sepse kur sheh nga afër fytyrën e vërtetë të një sistemi të kalbur, nuk ka më vend për kompromis,” përfundoi ai.

Published inShowbizz