Chris LaCivita, një nga arkitektët e fitores së Donald Trump, i kontraktuar edhe nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, pretendon se ka vizituar Australinë për të këshilluar Partinë Liberale në lidhje me çështje strukturore që lidhen me liderin opozitar Peter Dutton. Mirëpo këtë pretendim Koalicioni opozitar e ka mohuar kategorikisht, sipas asaj që raporton “The Guardian”.
Në një seri bisedash të fshehta të regjistruara nga organizatat “Correctiv” dhe “Qendra për Raportimin e Klimës”, LaCivita deklaron se ka udhëtuar në Australi në fillim të prillit, në rolin e një konsulenti privat, për të ndihmuar Partinë Liberale me “çështje strukturore”.
Kjo shpjegon edhe mungesën e tij në Tiranë gjatë kësaj periudhe. Sipas LaCivita, puna nuk kishte lidhje me ndonjë rol zyrtar në administratën amerikane apo me presidentin Trump.
Nga ana tjeter, sot strategu amerikan i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, Chris LaCivita ka zhvilluar një video-konferencë me kandidatët e koalicionit opozitar PD-ASHM.
Gjatë një konference përmes platformës Zoom të mbajtur në Tiranë me kandidatët e PD-ASHM, LaCivita vlerësoi mobilizimin e strukturave të PD-së në të gjithë vendin, ndërsa theksoi rëndësinë e këtyre ditëve të fundit si vendimtare për të ardhmen politike të vendit.
Mes të tjerash në fjalën e tij, LaCivita ka theksuar se zgjedhjet nuk fitohen me deklarata politike, por me punë konkrete në terren dhe me një përfshirje të fortë qytetare.