Rasti tragjik i vrasjes së trefishtë në Gjilan ka lënë pas vetes një person të plagosur rëndë, Bujar Hoxhën, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Insajderi, Hoxha është një nga figurat kyçe të këtij konflikti, i cili dyshohet se ka nisur pikërisht prej tij.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se thelbi i vrasjes së trefishtë ka lidhje me një denoncim që Hoxha kishte bërë ndaj të dyshuarit kryesor, Mefail Shkodra. Në prill të këtij viti, Hoxha kishte denoncuar zyrtarisht Shkodrën në polici për fajde, duke dorëzuar edhe një kallëzim penal.
Fajdet, shkaku i tragjedisë
Pas denoncimit, Mefail Shkodra, i cili kishte vepruar si fajdexhi, u mor në pyetje nga Prokuroria, por u la i lirë në procedurë të rregullt. Sipas të dhënave të reja, konflikti që përfundoi tragjikisht me tri viktima ka nisur pas këtij denoncimi, duke lënë të kuptohet se fajdet ishin shkaku i vërtetë i tragjedisë. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Bujar Hoxhës mbetet e rëndë, por stabile, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë.
