Skip to content

Kush ka kafshë shtëpiake duhet ta lexojë me patjetër Kodin e Ri Penal

Një draft i ri i Kodit Penal, i hedhur për konsultim publik, synon të vendosë rregulla të qarta dhe dënime të ashpra për keqtrajtimin e kafshëve. Për herë të parë, ky draft përfshin një kapitull të posaçëm për mbrojtjen e kafshëve, duke parashikuar dënime me burg për braktisjen, keqtrajtimin dhe mungesën e kontrollit në hapësira publike.

Braktisja dhe Keqtrajtimi: Dënime me burg deri në 3 vite

Sipas nenit 944, braktisja e një kafshe në rrethana që rrezikojnë jetën ose shëndetin e saj do të konsiderohet vepër penale dhe dënohet me gjobë ose deri në 3 vite burg. Ndërsa, sipas nenit 943, dëmtimi i përhershëm ose i përkohshëm i një kafshe shtëpiake, përfshirë edhe aktet me natyrë seksuale, dënohet me të njëjtën masë. Në rast se nga keqtrajtimi vjen ngordhja e kafshës, dënimi shtohet deri në 50%.

Përgjegjësia e pronarëve në hapësira publike

Drafti i ri vendos një përgjegjësi të rëndë mbi pronarët që nuk kontrollojnë kafshët e tyre në hapësira publike. Nëse një kafshë shkakton dëmtim të lehtë ndaj një personi, pronari mund të dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Dënimi ashpërsohet nëse dëmet janë më të rënda.

Dënime edhe për ndeshjet me kafshë

Ligji i ri sanksionon gjithashtu ndeshjet mes kafshëve. Sipas nenit 946, çdo person që organizon, promovon apo drejton ndeshje të tilla dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 muaj. Rritja e kafshëve për këto qëllime dënohet deri në 6 muaj burg, ndërsa vendosja e basteve dënohet deri në 2 muaj.

Rritje e dënimit në rastet e rënda

Drafti përcakton se dënimi do të rritet deri në 50% kur veprat penale kryhen me mizori, egërsi, për qëllime fitimi, në prani të fëmijëve, me armë, ose kur pamjet e ngjarjes shpërndahen në media apo rrjete sociale.

Published inLajme