Të gjithë drejtorët e Bashkisë së Durrësit kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre ditën e enjte, në një lëvizje që vjen pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në këtë bashki.
Ashtu siç ndodhi më parë në bashkitë e Vlorës dhe Fierit, edhe në Durrës kreu i qeverisë kërkoi largimin nga detyra të të gjithë drejtorëve, si pjesë e një procesi të gjerë ristrukturimi dhe “rinovimi të energjive” në administratën vendore.
Menjëherë pas kërkesës së Ramës, të gjithë drejtuesit e drejtorive në bashkinë bregdetare i kanë paraqitur kryetares së bashkisë Emiriana Sako shkresat e dorëheqjes.
Burime nga brenda institucionit bëjnë me dije se është ngritur një komision i posaçëm, i përbërë nga kryebashkiakja dhe disa deputetë të qarkut Durrës, i cili do të shqyrtojë me kujdes punën dhe performancën e secilit drejtor. Qëllimi është të përcaktohet se kush do të mbetet në detyrë dhe kush do të zëvendësohet me emra të rinj.
Pasi të përfundojë kjo fazë, pritet të nisë edhe ristrukturimi i drejtorive rajonale dhe institucioneve të tjera që varen nga pushteti vendor, në përputhje me prioritetet e reja të qeverisjes lokale.
Lista e drejtorëve që kanë paraqitur dorëheqjen:
Roni Shqiopa – Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore
Meme Xhaferaj – Drejtoria e Shërbimit Social
Ardian Gurra – Drejtoria e Arsimit, Kulturës, Sportit, Rinisë dhe Komuniteteve Fetare
Oneda Deliallisi – Drejtoria e Auditit të Brendshëm
Ermal Lufo – Drejtoria Ekonomike
Ardian Iljazaj – Drejtoria e Shërbimeve
Valbona Qiriako – Drejtoria e Buxhetit
Lorenc Facja – Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike
Lorenc Smajli – Drejtoria e Turizmit
Dhurata Gjoka – Drejtoria e Burimeve Njerëzore
Robert Dervishi – Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit
Alneida Rroshi – Drejtoria Ligjore
Kujtojmë se vizitat e fundit të kryeministrit Rama në bashkitë e vendit janë pjesë e një “turi analize” mbi performancën e administratës vendore, me theks të veçantë në nevojën për rinovim dhe përshtatje me sfidat moderne të qeverisjes.
Ai ka theksuar se administrata lokale duhet të përfshihet më shumë në frymën e reformave dhe të hapet ndaj prurjeve të reja që sjellin energji, vizion dhe profesionalizëm të shtuar.