Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin e Volosit në Greqi, ku një grua 36-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, është vrarë në mënyrë brutale nga bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shokuar opinionin publik, ndërsa autori i dyshuar, Pantelis N., 40 vjeç, i cili besohet se është shqiptar, ndodhet ende në arrati.
Detaje të reja nga dinamika e krimit
Krimi makabër ndodhi në mëngjesin e 22 gushtit, në rrugën “Konstanda”. Sipas dëshmive të mbledhura nga mediat greke, sherri mes çiftit nisi brenda banesës së tyre. Pasi konflikti u përshkallëzua, gruaja, Nikoleta M., u mundua të shpëtonte, duke u larguar nëpër shkallë. Por bashkëshorti e ndoqi dhe e goditi disa herë me thikë, ndërsa ajo tentoi të dilte nga dera kryesore e pallatit.
Dëshmia më rrëqethëse vjen nga vajza 16-vjeçare e çiftit, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes. Ajo shprehet se “e pashë babin duke qëlluar mamin me thikë” dhe se babai ishte shumë xheloz. Pas aktit, ai e shtyu drejt derës së hyrjes, duke i shkaktuar plagë fatale nga xhamat e thyer.
Sipas burimeve mjekësore dhe mediave greke, autori dyshohet se kishte probleme me varësinë ndaj drogës dhe se në qershorin e kaluar kishte tentuar të vriste veten. Pavarësisht këtyre problemeve, nuk kishte pasur raporte të mëparshme për dhunë në familje.
Apeli dhe ndihma për fëmijët
Banorët e pallatit dhe fqinjët e përshkruan viktimën si një grua të qetë, punëtore dhe shumë të përkushtuar ndaj familjes. Ajo punonte në një fabrikë dhe ishte një shtyllë kryesore për katër fëmijët e saj, më i vogli vetëm 6 vjeç.
Nga Greqia dhe Shqipëria ka pasur një valë reagimesh, me thirrje për kapjen sa më shpejt të autorit. Policia greke ka rrethuar zonën dhe ka nisur një operacion masiv kërkimi për arrestimin e tij. Ndërkohë, familjarët dhe komuniteti po përpiqen të organizohen për të ofruar mbështetje për katër fëmijët që kanë mbetur jetimë.
