Një ngjarje tronditëse ka goditur qarkun e Kukësit pasditen e së mërkurës, ku një konflikt për pronësinë e tokës në fshatin Pla të Hasit përfundoi me vrasjen e 34-vjeçarit Rushit Sallahu. Autori i dyshuar i krimit, Ylber Jaku, 41 vjeç, jo vetëm që e kreu vrasjen me armë zjarri në mes të ditës, por rezulton se e kishte paralajmëruar publikisht aktin në rrjetet sociale ditë përpara se të ndodhte.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja u shënua rreth orës 16:40, kur një automjet me viktimën Sallahu brenda u gjet i qëlluar me armë zjarri. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Komisariatit të Policisë Has dhe forcat speciale “Shqiponja” të DVP Kukës, të cilat bënë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar dhe sekuestrimin e armës së krimit. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Kukësit për dokumentimin e plotë të dinamikës dhe motivit të ngjarjes.
Por ajo që e bën këtë ngjarje akoma më të rëndë është fakti se vrasja ishte paralajmëruar publikisht nga vetë Ylber Jaku në rrjetin social Facebook. Në postime të hapura, ai akuzonte shërbimet sekrete shqiptare për përndjekje ndaj familjes së tij për shkak të një çështjeje pronësie dhe shprehej se kishte ndërmend të kryente një akt ekstrem për “të dhënë një mesim”. “Unë duhet të vras një person thjesht duke përdorur një armë zjarri. Arsyeja është e thjeshtë: që t’u mësoj një mësim të tjerëve,” – shkruante ai.
Jaku justifikonte veprimin e tij përmes referencave fetare, duke pretenduar se “kur shteti nuk bën drejtësi, ai e bën vetë në emër të Allahut”. Postimet e tij ishin një kambanë e qartë alarmi për autoritetet, veçanërisht në kushtet kur një ditë më parë në të njëjtin fshat kishte ndodhur një tjetër akt dhune, gjithashtu për motive pronësie: 21-vjeçarja A. S. u arrestua pasi goditi me mjete të forta dy të afërm të saj, duke i plagosur rëndë.
Ngjarjet e njëpasnjëshme, të cilat përfshijnë të njëjtën familje dhe rreth shoqëror, sugjerojnë se përplasja ishte e thellë dhe potencialisht e ditur nga autoritetet. Por, për fat të keq, duket se paralajmërimet publike janë injoruar.


Burime nga terreni raportojnë se Policia e Kukësit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj deklaratave kërcënuese të Jakut. Shkaku? Sipas burimeve, fokusi i drejtuesve vendorë të policisë ishte orientuar drejt një aktiviteti elektoral që zhvillohej në të njëjtën kohë, pikërisht në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
Një episod skandaloz është dokumentuar më herët këtë javë, ku drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit, Eduart Shalsi, dhe kandidati për deputet i kësaj force politike, janë fotografuar duke zhvilluar një takim me strukturat e policisë, brenda godinës zyrtare. Një veprim ky që përbën shkelje të hapur të ligjit për statusin e policisë dhe Kodit të Etikës së Administratës Publike, pasi efektivët e rendit konsiderohen të depolitizuar dhe të ndaluar nga përfshirja në aktivitete elektorale.
Sipas burimeve nga vetë strukturat e brendshme të Policisë, është dhënë rekomandimi për të mos lejuar zhvillimin e takimeve me karakter politik brenda ambienteve të institucionit, por ky paralajmërim është injoruar. Thuhet se Shalsi ka deklaruar: “Nuk jam në shkelje të ligjit dhe nuk pyes për njeri kur jam në rregull.”
Por, ndërsa vëmendja ishte përqendruar te organizimi elektoral, në terren situata po përshkallëzohej në një spirale dhune që kulmoi me një vrasje e cila mund të ishte parandaluar. Në vend që policia të merrte masa parandaluese ndaj individëve që bënin thirrje për gjakderdhje në publik, zgjodhi të përqendrohej në mënyrë të paprecedentë në ruajtjen e imazhit politik të mazhorancës në fuqi.
Ngjarja e rëndë në Has nuk është vetëm një akt kriminal, por një tregues i frikshëm se çfarë ndodh kur shteti dështon të veprojë në kohë. Dhe kjo vrasje mund të mos jetë e fundit, nëse autoritetet zgjedhin të shohin nga ana tjetër për hir të interesave të ngushta politike.
