Instituti i Gjeoshkencave, nëpërmjet specialistes Anira Gjoni, ka ofruar një parashikim të detajuar të motit për ditët e nxehta në fund të qershorit dhe fillimin e korrikut, duke konfirmuar temperatura të larta nën ndikimin e një vale të nxehti që ka pikun në Europën Qendrore.
Sipas zonjës Gjoni, Shqipëria ndodhet në periferi të kësaj vale, e cila gjatë kësaj dhjetëditëshi do të përfshijë pjesën më të madhe të kontinentit. Për krahasim, në Francë pritet që temperaturat të arrijnë deri në 43°C, në Angli 35°C, ndërsa Portugalia dhe Spanja mund të arrijnë nivele ekstreme deri në 45°C. Edhe Italia dhe Ballkani, përfshirë Shqipërinë, priten të përjetojnë temperatura nga 38 deri në 41°C gjatë këtyre ditëve.
Përsa i përket vendit tonë, dita e martë, 1 korrik, do të ketë minimalet në bregdet rreth 22°C dhe maksimalet deri në 34°C. Në zonat e ulëta, minimalet do të zbresin në 21°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 37°C. Zonat malore do të jenë disi më të freskëta me minimalet 15°C dhe maksimalet 31°C.
Dita e mërkurë, 2 korrik, pritet të jetë dita më e nxehtë e javës, me një rritje prej rreth 2 gradësh në maksimumet e zonave të ulëta, duke arritur deri në 39°C, ndërsa minimalet do të jenë rreth 23°C.
Lajmi i mirë, sipas specialistes Gjoni, është se pas ditës së mërkurë pritet një rënie e lehtë e temperaturave. Për ditën e enjte, 3 korrik, parashikohet një ulje prej rreth 3 gradësh, me maksimalet që do të zbresin në rreth 35°C. Kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës, ku maksimalet do të jenë deri në 36°C. Zonja Gjoni sqaroi se nuk priten temperatura mbi 40°C, por maksimumet do të jenë afër 39°C vetëm në ditën e mërkurë dhe kryesisht në zona lokale. Ditët e tjera do të jenë me temperatura më të moderuara rreth 36-37°C.
Sa i përket reshjeve, specialistja e Institutit të Gjeoshkencave bëri të ditur se këto ditë do të jenë pa reshje, me temperatura të larta dhe thatësirë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre në pyje. Ajo apeloi për kujdes maksimal nga qytetarët për shkak të rrezikut të lartë të zjarreve.
Vala e të nxehtit që ka përfshirë thuajse të gjithë Europën pritet të largohet pas dhjetëditëshit të parë të korrikut, kur pritet një rënie e temperaturave.
Në lidhje me rajonin e Ballkanit, zonja Gjoni theksoi se vendet fqinje si Mali i Zi, Bosnja, Kroacia dhe Greqia do të ndikohen gjithashtu nga këto temperatura të larta. Në Ballkanin Qendror, temperaturat mund të arrijnë deri në 41°C, ndërsa në Shqipëri maksimumi pritet të jetë 39°C në ditën e mërkurë.
Përsa i përket erës dhe dallgëve në bregdet, specialistja Gjoni parashikon që era do të fryjë kryesisht e lehtë deri mesatare, me përforcime të përkohshme gjatë kësaj jave dhe në fundjavë, duke kërkuar kujdes nga pushuesit.