Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi mandatin e deputetit të Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, për qarkun e Durrësit. Vendimi erdhi pas rrëzimit të ankimimit të kandidates së PD-së, Andia Ulliri, e cila pretendonte se mandati i takonte asaj mbi bazën e kuotave gjinore.
Pas vendimit, Ulliri shprehu zhgënjimin e saj për mënyrën sesi u trajtua rasti, duke thënë se “një pjesë e drejtësisë që ne aspirojmë mungon”. Ajo theksoi se betejën do ta çojë deri në fund, ndërsa avokati i saj, Indrit Sefa, konfirmoi se do ta dërgojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese. Sefa e cilësoi vendimin e sotëm si “të pashpjegueshëm” dhe një mungesë aksesi në drejtësi për kandidatët.
Ky vendim pason interpretimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili fillimisht vendosi se Ulliri ka marrë më pak vota pëlqyese se Ndoja dhe se kuota gjinore nuk është e aplikueshme në këtë rast, pasi sipas ligjit, renditja bëhet mbi bazën e votave pas shterimit të listës së mbyllur.