Një zhvillim i papritur ka ndodhur në kampin e Partisë Socialiste pas rinumërimit të votave në qarkun e Fierit për zgjedhjet e 11 majit. Kandidatja socialiste Maldrita Bardho ka deklaruar publikisht se nuk do ta pranojë mandatin e deputetes që i fitoi koleges së saj, Zegjine Caushi, pas këtij procesi të verifikimit të votave.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Maldrita Bardho ka shprehur lumturinë dhe nderin që kontributi i saj në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e saj, të cilët e konsideruan të denjë për t’i përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë. Megjithatë, ajo ka njoftuar se ka marrë një vendim të rëndësishëm, të cilin e ka ndarë me mbështetësit e saj dhe me opinionin publik. Ky vendim, sipas saj, ishte marrë përpara se të niste rinumërimi dhe vetëm është përforcuar pas përfundimit të tij.
Bardho ka theksuar se do të vijojë të kontribuojë për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjitha mundësitë e saj, por pa qenë pjesë e Parlamentit të Shqipërisë. Ajo ka shprehur kënaqësinë që t’ia lërë vendin e saj koleges dhe mikes, Zegjine Caushi. Bardho e ka cilësuar Zegjinën si një socialiste që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten gjatë fushatës elektorale, duke qenë shpesh në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjetër.
Maldrita Bardho e ka përfunduar postimin e saj duke falenderuar nga zemra të gjithë ata që e votuan dhe duke u zotuar se do të jetë gjithmonë aty për ta, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që karakterizon socialistët. Vendimi i saj shihet si një akt solidariteti brenda partisë dhe një vlerësim për kontributin e Zegjine Caushit.