Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike, duke e mbrojtur atë dhe duke e cilësuar si një program afatgjatë. Rama pranoi se edhe shteti ka pasur përgjegjësinë e tij për situatën e krijuar, por shtoi se kjo nuk e justifikon shkeljen e ligjit nga qytetarët dhe bizneset.
“Kthimi në gjendjen e mëparshme po realizohet, pasi pjesa dërrmuese e ndërhyrjes bëhet në objekte të çmontueshme,” tha Rama. Ai theksoi se ky është vetëm fillimi i një programi të ri të quajtur “Rilindja Urbane”, që synon të krijojë hapësira publike cilësore dhe me standarde europiane. “Do të rikthejmë hapësira publike,” premtoi kryeministri, duke shtuar se ky proces do të kërkojë kohë.
Përgjegjësia e shtetit dhe e qytetarëve
Në fjalën e tij, Rama theksoi se përgjegjësia e shtetit nuk i amniston shkelësit e ligjit. “Nuk mund të thuash që ‘po hedh beton dhe po s’më kapet s’ke çfarë më bën’”, shpjegoi ai, duke sqaruar se askush nuk mund t’i shmanget pasojave ligjore për ndërtimet pa leje. Ai përsëriti angazhimin e qeverisë për të ndërtuar një shtet me rregulla të qarta dhe të drejta, me qëllim që Shqipëria të jetë e përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.