Mjekët në SHBA kanë zbuluar një rast të rrallë dhe alarmant të një sëmundjeje të njohur si Neurocysticercosis, ku një burri 52-vjeçar i janë gjetur cista të mbushura me larva të krimbit të derrit në tru. Ky zbulim erdhi pas katër muajsh me dhimbje koke të forta, të cilat nuk reagonin ndaj mjekimeve.
Shkaku: konsumi i mishit të derrit të papjekur mirë
Sipas raportit të botuar nga American Journal of Case Reports, mjekët fajësuan zakonin e pacientit për të ngrënë proshutë të papjekur mirë. Kjo praktikë e ka bërë atë të zhvillojë infeksionin, i cili shkaktohet nga paraziti i derrit. Sëmundja, e njohur që nga shekulli i 13-të, sot mund të diagnostikohet më shpesh falë teknologjisë moderne si skanimet CT dhe MRI.
Simptomat, trajtimi dhe përhapja
Pacienti, i cili vuante edhe nga diabeti dhe obeziteti, përjetoi një përkeqësim drastik të migrenës, sidomos në pjesën e pasme të kokës. Pas diagnozës, ai u trajtua me ilaçe antiparazitare dhe anti-inflamatore.
Sipas Medscape, llogaritet se mbi 8.3 milionë njerëz në mbarë botën janë të infektuar me këtë parazit, i cili mund të prekë trurin, muskujt, indet nënlëkurore dhe sytë. Ekspertët theksojnë se sëmundja shpesh ngatërrohet me migrenat kronike, por lidhja e saj me konsumin e mishit të derrit të papjekur mbetet e padiskutueshme.