Komplet e shkëputur nga çdo kontakt me Shqipërinë, lajmet dhe familjarët, një prej ikonave më të dashura të muzikës shqiptare ka kaluar katër vitet e fundit në rrugët e New Yorkut, nga periudha e pandemisë e deri në fund të vitit të kaluar. Në një intervistë prekëse për gazetarin Blendi Fevziu, këngëtarja shqiptare rrëfen një kapitull të jetës së saj krejtësisht të panjohur për publikun.
Jetën e përditshme, ajo e përshkruan si një zgjedhje personale, larg çdo detyrimi apo fatkeqësie. “Jetoja më së shumti në Times Square. Ndonjëherë lëvizja lart e poshtë, kur ishte vapë shkoja te lumi, ndërsa natën kthehesha sërish atje,” – rrëfen ajo me qetësi.
E izoluar, por aspak e frikësuar, këngëtarja thotë se New Yorku boshatisur gjatë pandemisë ishte momenti që e çliroi për të jetuar ndryshe. “Nuk kishte njeri të gjallë nëpër rrugë. Ishte bosh. Prandaj dola, sepse nuk kishte askënd. Qëndroja me orë të tëra me telefonin në dorë, pa ndjerë frikë. Ishte kohë reflektimi,” – thotë ajo.
Një pjesë të madhe të kësaj kohe, ajo ia kushtoi leximit dhe studimit. Gjatë rrëfimit, zbulon se ka lexuar të gjithë librat e shenjtë, duke përjetuar nga afër mënyrën e jetesës së komuniteteve fetare, veçanërisht hebrenjtë ortodoksë.
“Çdo të premte në mbrëmje këndonim këngë për engjëjt. Ishte eksperienca më e mrekullueshme që kam përjetuar ndonjëherë. Aty mësova për jetën e shenjtë që bënin: burri dhe gruaja nuk duhet të preknin njëri-tjetrin, sidomos gruaja nuk lejohej të këndonte. Ishte një rregull që e respektonin me përkushtim të jashtëzakonshëm,” – rrëfen ajo, duke theksuar se në këto komunitete gjithçka ofrohej falas: ushqim, strehim, dije.
“Kisha për të ngrënë, për të pirë, s’më duheshin lekët. Njerëzit hidhnin para në ato qendra, gjithçka funksiononte pa para. Edhe sot mund të të tregoj qendrat ku studion, ha, punon – të gjitha falas!” – thotë ajo me entuziazëm. Aq shumë u përfshi në këtë jetë të re, saqë vëllait të saj i kishte komunikuar se nuk do ta telefononte më, për të mos e ndërprerë rrugëtimin shpirtëror.
Mes shumë surprizave që solli ky rrëfim, një tjetër detaj spikati: “Nuk kam marrë kurrë asnjë aspirinë në jetën time,” – tha ajo me bindje. Edhe pse kaloi një periudhë të gjatë në kushte të pazakonta, e larguar nga çdo luks apo komoditet, pohon se është ndihmuar shpesh nga njerëz të panjohur, të cilët i qëndruan pranë pa kërkuar asgjë në këmbim.
Ky rrëfim i rrallë, i sinqertë dhe i pazakontë, rikthen në qendër të vëmendjes një figurë që ka lënë gjurmë në artin shqiptar, por që ka zgjedhur të jetojë larg dritave të skenës, për të gjetur një formë tjetër lirie — një jetë në rrugë, me qetësinë e shpirtit dhe përkushtimin ndaj vlerave të brendshme.