Skip to content

Këshilla – Flet mjekja gjinekologe: Femrat duhet t’i mbyllin lindjet para kësaj moshe

Një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë vjen nga gjinekologia e njohur, Enriketa Kroi, për të gjitha gratë që planifikojnë të bëhen nëna. Gjatë një interviste të dhënë së fundmi në emisionin “Good Morning Albanians”, Dr. Kroi theksoi me forcë rëndësinë e përfundimit të ciklit të lindjeve para moshës 35-vjeçare, duke e argumentuar këtë me përfitimet e dukshme për shëndetin e fëmijëve dhe mbarëvajtjen e shtatzënisë.

Dr. Kroi vuri në dukje një trend shqetësues të rritjes së moshës mesatare kur gratë bëhen nëna për herë të parë, por edhe kur vendosin të mos shtojnë më fëmijë në familje. Sipas saj, ndërsa arsimimi dhe karriera janë prioritete, aspekti biologjik nuk duhet të neglizhohet.

“Nuk është kusht të kesh përfunduar studimet e larta për t’u bërë nënë. Madje, do të ishte optimale që femrat të kishin realizuar dëshirën për fëmijë përpara se të mbushin 35 vjeç, në mënyrë që të rrisin shanset për fëmijë të shëndetshëm dhe shtatzëni pa komplikacione,” – shpjegoi Dr. Kroi.

Ajo shtoi se praktika e saj klinike dëshmon se gjithnjë e më shumë gra po shtyjnë maternitetin, duke përfshirë edhe ato që mbeten shtatzënë në moshën 45-vjeçare. Kjo tendencë, e diktuar shpesh nga arsye karriere apo stabilitetit ekonomik, vjen me rrisqe të shtuara për shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Këshilla e Dr. Kroi mbështetet fort në faktin shkencor se me kalimin e moshës, probabiliteti i komplikacioneve gjatë shtatzënisë dhe rreziku për probleme shëndetësore te fëmija rriten ndjeshëm. Prandaj, ajo u bën thirrje grave që të jenë të vetëdijshme për këtë aspekt dhe ta marrin parasysh faktorin e moshës kur planifikojnë zgjerimin e familjes së tyre.

Published inLajme