“Ne nuk jemi në këtë proces për të ndëshkuar askënd në mënyrë të padrejtë. Asnjë nga drejtuesit e shkarkuar nuk është larguar pa një bazë ligjore. Nuk ka asnjë veprim që bie ndesh me Kushtetutën. Por për ne, përmirësimi i punës në çdo hallkë të bashkisë është një detyrim moral dhe institucional. Duhet të jemi gjithmonë në kërkim të më të mirës – për qytetarët, për institucionin dhe për qytetin tonë,” u shpreh Dredha.
I pyetur nëse e ka konsideruar ndonjëherë dorëheqjen si pjesë e këtij procesi reformimi të thellë, ai u shpreh se çdo funksionar publik duhet të ketë përgjegjësinë e rolit që mban, por se aktualisht është i fokusuar në zbatimin e një filozofie të re zhvillimi për Vlorën.
“Dorëheqja nuk është një tabu. Në çdo moment që ndjej se nuk i shërbej më me përkushtim këtij qyteti, do të jem i pari që do ta bëj një veprim të tillë. Por sot, më shumë se kurrë, ndjej një detyrim të fortë për të çuar përpara transformimin që qytetarët e Vlorës presin. Kjo është një filozofi e re, që nuk përfshin vetëm administratën vendore, por edhe bashkëpunimin me deputetët e rinj dhe aktualë të Partisë Socialiste. Jemi të gjithë në terren, duke punuar krah për krah për t’i kthyer Vlorës dinjitetin dhe potencialin që meriton,” theksoi ai.
Në lidhje me lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga bizneset, Dredha tha se ky është një hap i domosdoshëm për të rikthyer qytetin te qytetarët.
“Nuk mund të pranojmë më që hapësirat publike të shfrytëzohen për interesa private. Vlorën po e transformojmë në një qytet të jetueshëm, të pastër dhe të ndershëm. Nuk ka më vend për kompromis me ligjin,” tha kryebashkiaku.
Ky proces reformimi dhe ndërhyrjet në strukturat drejtuese vijnë në një kohë kur qeveria ka rritur presionin ndaj pushtetit vendor për të garantuar qeverisje më efikase dhe larg praktikave të mbetura nga e kaluara. Duket se Vlorës i është dhënë një rol model për të nisur këtë ristrukturim.