Skip to content

Kamioni përplaset me ambulancën, raportohet bilanc i rëndë

Një aksident tragjik ndodhi sot rreth orës 11:10 në autostradën A1, në segmentin midis Valdarno dhe Arezzo, duke shkaktuar humbjen e jetës së tre personave dhe plagosjen e 18 të tjerëve.

Sipas dinamikës së ngjarjes, një kamion, për arsye ende të panjohura, doli nga korsia e tij dhe u përplas me një ambulancë dhe disa mjete të tjera, duke përfshirë një furgon, një autobus dhe një karavan. Përplasja fatale shkatërroi plotësisht ambulancën.

Viktimat ishin të tre personat që ndodheshin në bord: Giulia Santoni, 23 vjeçe, një vullnetare e re; Gianni Trappolini, 56 vjeç, shoferi dhe një vullnetar me përvojë, të dy nga “Misericordia e Terranuova Bracciolini”; dhe një paciente 70-vjeçare, të cilën po e transportonin në spital.

Si pasojë e aksidentit, autostrada A1 Milano-Napoli u mbyll plotësisht në të dyja drejtimet, duke shkaktuar bllokime të mëdha trafiku. Në vendngjarje mbërritën menjëherë dhjetëra mjete dhe personel shpëtimi, duke përfshirë zjarrfikës, ambulanca, ekipe mjekësore dhe dy helikopterë shpëtimi. Protokolli i emergjencës u aktivizua për të menaxhuar situatën e rëndë.

Autoritetet italiane po hetojnë shkaqet e aksidentit, ndërsa shoferi i kamionit, i cili gjithashtu mbeti i plagosur rëndë, ndodhet në spital. Guvernatori i rajonit të Toskanës, Eugenio Giani, shprehu “ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimave” dhe “një mendim të përzemërt dhe një përqafim për Misericordia”.

Published inLajme