Bashkimi Evropian ka njoftuar zyrtarisht se sistemi i ri i kontrollit kufitar, i quajtur Sistemi i Hyrje/Daljes (EES), do të nisë zbatimin në 12 tetor 2025. Ky sistem do t’i japë fund vendosjes së vulave nëpër pasaporta për shtetasit që nuk janë nga vendet e bllokut evropian.
Fillimisht, EES-ja ishte planifikuar të hynte në fuqi në nëntorin e vitit të kaluar, por u shty në momentet e fundit pasi disa shtete anëtare nuk ishin ende plotësisht të gatshme për zbatimin e tij. Komisioni Evropian ka vendosur një zbatim gradual të sistemit në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, i cili do të zgjasë për gjashtë muaj. Kjo qasje synon t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja.
Si Funksionon EES dhe Kush Preket
Sistemi EES, i krijuar në nëntor të vitit 2017 dhe i shtyrë disa herë, pritet të vlejë për shtetasit e rreth 60 vendeve, duke përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.
Ky sistem do të regjistrojë me saktësi datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve, si dhe do të mbajë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara. Sipas EES, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike, si fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve. Është me rëndësi të theksohet se pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike, duke ruajtur tashmë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet e BE-së, gjë që i ka mundësuar regjimin pa viza.
Siguria e Rritur dhe Shqetësimet Për Vonesa
Qëllimi kryesor i EES është rritja e sigurisë kufitare. Magnus Brunner, komisionar për Migrimin, theksoi se sistemi “do të rrisë sigurinë… duke na ndihmuar që të identifikojmë personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit, të parandalojmë lëvizjet e parregullta dhe të ulim mashtrimet me dokumente dhe identitete.”
Megjithatë, zbatimi i këtij sistemi ka ngritur frikën se do të shkaktojë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë drejt Evropës me trena, tragete dhe aeroplanë. Komisioni Evropian ka premtuar fushata informuese për udhëtarët në aeroporte dhe pika kufitare në të gjithë BE-në para se të nisë zbatimi i plotë i sistemit.
