Ja çfarë deklaronte kompozitori nga Kavaja, mik i Parashqevisë në 2015: Flirtonte me një ish-sigurims, e kam parë kur…
Edhe kompozitori Agim Krajka i është bashkuar zërave që flasin për debatin se artistët kanë pasur marrëdhënie me Sigurimin e Shtetit.
Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, ai ka përmendur këngëtaren e njohur Parashqevi Simaku, për të cilën shprehet se ka pasur “një mik nga të Sigurimit të Shtetit, që flirtonte dhe rrinte bashkë me të, aty përtej televizionit”.
“Sigurimsit ishin njerëz, ishin të përgatitur, të shkolluar. Unë jam befasuar shumë, sepse edhe unë bëja pjesë në sferën e atyre sigurimsave, se ata na shoqëronin kur dilnim jashtë. Bashkëpunimi me ta ishte detyrë. Ishte kodi i punës. Unë si përgjegjës orkestre, si udhëheqës artistik duhet të bëja relacion çdo ditë për ta, ku duhej të njoftoja se është ky apo ai problem, ose nuk ka asnjë problem. Pra unë në relacion do ta thosha çdo gjë ashtu siç ishte.
Edhe Parashqevia kishte një mik nga të Sigurimit të Shtetit, “friends” siç thuhet sot, që flirtonte dhe rrinte bashkë me të, aty përtej televizionit. Rrinin e bisedonin, flisnin për artin, për poezinë, por s’më hynte në punë mua kjo. Në atë kohë e gjithë Shqipëria ishte në syrin e sigurimsave. Ata edhe ndjenja kishin se ishin të rinj e do të lidheshin me ndonjë vajzë, siç ishte rasti i mikut të Parashqevisë”,- ka rrëfyer Krajka për gazetën.
