Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar vendimin për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës, një lëvizje drastike që vjen pas muajsh të tërë të bisedimeve të dështuara me Hamasin. Ky lajm u bë i ditur përmes një video-adresimi të postuar në platformën X.
“Ne po angazhohemi për të çliruar Gazën nga tirania e këtyre terroristëve,” tha Netanyahu. “Shumë banorë të Gazës vijnë tek ne dhe thonë ‘Na ndihmoni të çlirohemi. Na ndihmoni të çlirohemi nga Hamasi’ dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë.”
Ky vendim drastik përfshin operacione ushtarake në të gjitha zonat, duke përfshirë edhe ato ku besohet se mbahen pengjet izraelitë.
Ultimatum për Shefin e Shtabit të Ushtrisë
Njoftimi i Netanyahut ka zbuluar edhe tensionet e larta brenda qeverisë dhe ushtrisë. Raportohet se Zyra e Kryeministrit i ka dërguar një mesazh Shefit të Shtabit, Gjeneralit Eyal Zamir, duke i dhënë një ultimatum: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen.”
Netanyahu dhe Zamir kanë qenë në kundërshtim me njëri-tjetrin për mënyrën se si duhet të zhvillohet lufta, dhe këto tensione thuhet se kanë arritur kulmin ditën e hënë. Ky zhvillim ngre pyetje mbi unitetin e udhëheqjes izraelite në një moment kyç të konfliktit.
Vendimi për pushtimin e plotë vjen pas bisedimeve të dobëta në Katar, ku ndërmjetësuesit nuk arritën të kapërcejnë pengesat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, ndërsa situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet.