Operacioni i kërkimit dhe shpëtimit, i cili rezultoi në gjetjen e trupit të viktimës, është zhvilluar në një koordinim të ngushtë mes FSK-së, Policisë së Kosovës, misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
FSK-ja bën të ditur se operacioni humanitar u realizua me urdhër direkt të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Pas marrjes së urdhrit, ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra të FSK-së morën të gjitha masat e nevojshme dhe u angazhuan me intensitet të lartë në zonën e liqenit.
Pas disa orësh kërkimi intensiv dhe falë profesionalizmit të ekipave, trupi i pajetë u gjet në zonën e Liqenit të Ujmanit. Pas evakuimit, trupi i viktimës i është dorëzuar menjëherë Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejshme hetimore dhe ligjore.
Ky bashkëpunim mes institucioneve të sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave në Kosovë thekson gatishmërinë dhe koordinimin e tyre në situata të tilla kritike humanitare.
