Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka bërë një deklaratë të rëndësishme në një emision televiziv, duke pohuar se Irani kishte planifikuar të vriste Donald Trump përpara se ai të zgjidhej president i Shteteve të Bashkuara. Sipas Karamuços, kjo ishte një shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kreut të Gardës Revolucionare Iraniane, Qassem Soleimani.
Karamuço tha se arrestimi i një agjenti të ngarkuar të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, nën akuzën e organizimit të një atentati ndaj Trumpit, konfirmon këtë komplot. Agjenti i arrestuar thuhet se ka rrëfyer se plani ishte një hakmarrje direkte për eliminimin e Soleimanit dhe se ata synonin ta vrisnin Trumpin përpara se ai të merrte detyrën presidenciale.
Eksperti e ka cilësuar këtë si një obsesion personal politik të vetë presidentit Trump në raport me Iranin. Ai gjithashtu ka shtuar se ndërsa izraelitët kanë një problem tjetër me Iranin, që nuk lidhet drejtpërdrejt me pasurimin e uraniumit, por me financimin e vazhdueshëm të Hezbollahut dhe Hamasit, ngërçi kryesor në konfliktin aktual mbetet centrali bërthamor i Fordoës.
Karamuço ka përmendur bombën amerikane GBU-57, duke thënë se kjo bombë 13,6 tonëshe, gjashtë prej të cilave ndodhen në një ishull në Oqeanin Indian, tashmë ka mbërritur shumë afër Lindjes së Mesme. Ai ka sugjeruar se pritet që një avion të kryejë bombardimin e këtij centrali të rëndësishëm bërthamor iranian. Deklaratat e ekspertit të kriminalistikës nxjerrin në pah kompleksitetin dhe thellimin e armiqësisë midis Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe Izraelit.