Pas sulmit të Shteteve të Bashkuara kundër objekteve bërthamore të Iranit, Shtëpia e Bardhë publikoi një sërë fotografish nga brenda dhomës së situatave të emergjencës, duke ofruar një vështrim në kohën kur operacioni “Çekani i Mesnatës” ishte në zhvillim. Ky operacion përfshiu bombardues amerikanë që goditën bazat bërthamore iraniane.
Megjithatë, mes fotografive që shfaqnin Presidentin Donald Trump dhe grupin e tij të këshilltarëve, një detaj i veçantë ra në sy: Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, Gjenerali Dan Caine, u fotografua duke bërë shenjën e njohur të “brirëve” me dorë teksa ndiqte zhvillimet mbi tryezë.
Kjo shenj, e cila përdoret gjerësisht sot në kulturën e muzikës rrok, ka një origjinë më të lashtë si një simbol i mbrojtjes nga e keqja. Ajo është përdorur tradicionalisht në Itali dhe në vende të tjera të Mesdheut për të shmangur syrin e keq. Përdorimi i kësaj shenje nga një figurë e lartë ushtarake gjatë një momenti kaq kritik ka nxitur menjëherë spekulime dhe komente të ndryshme në rrjetet sociale dhe në media.
Në fotot e tjera të publikuara nga Shtëpia e Bardhë shfaqeshin Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës amerikane.
Presidenti Donald Trump deklaroi pas operacionit se forcat amerikane kishin goditur me sukses tre objekte bërthamore iraniane, duke përfshirë Natanzin, Isfahanin dhe Fordownin, dhe pretendoi se programi bërthamor i Teheranit ishte shkatërruar plotësisht. Vendimi i Trump për t’iu bashkuar fushatës ushtarake të Izraelit kundër Iranit, i marrë pas ditësh diskutimesh dhe para afatit dyjavor të përcaktuar nga vetë ai, konsiderohet një përshkallëzim i madh i konfliktit në Lindjen e Mesme.