Sot radhën e kishte Ilir Proda, kreu aktual i Policisë së Shtetit, i cili u faneps në QSUT për të parë shefin e komisariatit të Delvinës, Agim Troci. Ky i fundit ishte shtruar në spital pas djegieve që pësoi në situatën emergjente të krijuar në Delvinë me zjarret.
Njëjtë siç bëjnë politikanët dhe sidomos shefi i tij në krye të qeverisë, edhe Proda e shndërroi qëllim në vetvete më shumë bërjen e fotos sesa shkuarjen në spital për të parë gjendjen e policit. Vërtitej në sallë njësoj siç vërtitet ajo që keni ju ndërmend e nuk e themi dot, duke penguar stafin mjekësor për të kryer shërbimin ndaj efektivit të plagosur.
Pa uniformë e pa asnjë shenjë dalluese të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhuroi mbrëmjen e sotme një tjetër shfaqje banale që pataksi jo vetëm ata që ishin në spital, por këdo tjetër që pa fotot e shpërndara për propagandë nga zyra e shtypit të Policisë së Shtetit. Ironia qëndron edhe në një fakt tjetër, se policit që po vizitonte në spital dhe që shfaqi cullak në media si të plagosurit që dergjen në spitalet e luftës, vetë kreu i Policisë së Shtetit i ka mohuar gradën.
Për ata që nuk e njohin, Ilir Proda përveç impostimit publik si snob dhe “çun i fortë” lagjeje, ka edhe një dimension tjetër. Ekzaltohet kur shpërfaqë krahinarizmin apo patriotizmin lokal, jo si superioritet më shumë sesa si delir apo kompleks inferioriteti i tij.
Me origjinë nga fshatrat e Delvinës e i lindur në Sarandë, Ilir Proda e imposton veten e tij si një lloj Robin Hood-i i asaj zone sa herë zbret poshtë. Ndaj edhe vajtja e tij sonte në QSUT sikur sapo ishte ngritur nga klubi i fshatit, shpjegohet gjithashtu me faktin se bëhej fjalë për shefin e komisariatit të Delvinës.
Po të ishte ndonjë efektiv i qyteteve të tjera ndoshta nuk kishte shkuar fare. Proda kërkon të duket me patjetër një lloj dalzotësi i asaj zone pavarësisht se në fakt ngjan si karagjoz pa uniformë në krye të Policisë së Shtetit.


