Ish-Presidenti i Republikës dhe lideri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, provoi të rikthehej fuqishëm në skenën politike duke garuar në zgjedhjet e 2025-ës në listën e hapur të koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë e Madhe” (PD-ASH) në Tiranë. Por ndryshe nga pritshmëritë e shpallura me bujë nga mbështetësit e tij, Meta po përballet me një rezultat zhgënjyes.
Në një përpjekje të pazakontë për një figurë të këtij kalibri, Meta vendosi të futej në garë nga burgu, ku ndodhet aktualisht nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Gjatë gjithë fushatës, ai e portretizoi kandidimin si një “votëbesim të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, duke tentuar të tregojë se përkrahja popullore nuk është zbehur. Por të dhënat e deritanishme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë të kundërtën.
Sipas rezultateve paraprake nga 667 prej 1282 qendrave të votimit të numëruara në qarkun Tiranë, Meta ka grumbulluar vetëm 3670 vota preferenciale, duke u renditur i treti në listën e koalicionit PD-ASH. Ai mbetet pas Jorida Tabakut me 9572 vota dhe Ilir Alimehmetit me 9037 vota.
Ky rezultat, ndonëse tregon se Meta ende mban një bërthamë të vogël mbështetësish, përfaqëson një dështim të thellë politik për një parti që prej vitesh ka pretenduar se përfaqëson mbi 200 mijë votues në shkallë kombëtare. Për një figurë që ka drejtuar shtetin dhe dikur kontrollonte një nga forcat politike më të mëdha në vend, kjo shifër është një goditje jo vetëm simbolike, por edhe reale për ambiciet e tij politike.
Kandidimi i tij nga qelia kishte për synim të demonstronte se drejtësia nuk mund të ndalonte përkrahjen popullore, por ajo që dëshmon kutia e votimit është një rënie drastike e ndikimit dhe besueshmërisë që Meta dikur gëzonte.
Nëse kjo do të mbetet një episod kalimtar apo një fund i paralajmëruar i karrierës së tij politike, do të varet nga zhvillimet e mëtejshme ligjore, por edhe nga reagimi i vetë elektoratit që këtë herë duket se ka kthyer shpinën.