“Dje u zgjuam me krisma armësh. Këtu rri me nusen, kam pasur edhe kunatën dhe fëmijët ngjitur. Jemi të traumatizuar, nuk mund ta besoj që diçka e tillë mund të na ndodhë,” – u shpreh Nikolli për News24, duke përshkruar mëngjesin e tmerrit.
Nikolli, i njohur në zonë si një njeri i qetë dhe i përkushtuar ndaj punës me bagëti, tha se nuk ka pasur asnjë konflikt serioz me askënd, përveç një debati verbal me një bashkëfshatar disa kohë më parë. Ai theksoi se jeta e tij është e përqendruar krejtësisht te bujqësia dhe blegtoria, duke punuar për të mbajtur familjen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë pas kthimit nga emigrimi.
“Thirrja ime për institucionet është e qartë: të më japin një zgjidhje. Kam ardhur nga emigrimi, kam investuar në bagëti për të siguruar të ardhmen e familjes. Nuk kërkoj asgjë tjetër, vetëm të punoj dhe të jetoj i qetë,” – u shpreh ai, duke bërë apel për mbrojtje dhe ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.
Ngjarja ka lënë gjurmë të thella emocionale edhe te bashkëshortja e tij, e cila ndodhet në muajin e nëntë të shtatzënisë. Me lot në sy dhe zë të dridhur, ajo rrëfeu gjendjen e rënduar psikologjike në të cilën ndodhet:
“Jam e traumatizuar. Duke marrë parasysh edhe gjendjen time, është e domosdoshme që të merren masa. Nuk është vetëm jeta jonë në rrezik, por edhe e fëmijës që presim.”
Ndërkohë, policia vijon hetimet në terren. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja dhe një mesazh kërcënues i shkruar në një gur pranë banesës: “Ik se do të vdesësh”. Ky detaj ka shtuar edhe më shumë ankthin e familjes Nikolli dhe banorëve të zonës.
Pavarësisht se hetimet janë në vazhdim, ende nuk ka persona të ndaluar apo të dyshuar zyrtarisht për sulmin. Banorët e fshatit, të tronditur nga kjo ngjarje, shprehen të shqetësuar për mungesën e sigurisë dhe kërkojnë që autoritetet të reagojnë para se situata të përshkallëzohet më tej.