jë shqiptar 30-vjeçar, Miklovan Danaj, me origjinë nga Guri i Zi i Shkodrës, është zhdukur që prej 11 majit në Spanjë. Familja e tij, e përbërë nga bashkëshortja dhe vëllai, po e kërkojnë atë në Spanjë, Shqipëri dhe Itali, vende ku ai ka jetuar.
Sipas raportimeve të JOQ Albania, të cilat citojnë burime të afërta me viktimën, dyshohet se Danaj, i njohur edhe me nofkën “Keli”, është vrarë për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e drogës. Pak kohë më parë, familja ka marrë një mesazh shqetësues ku një person i panjohur shkruante se “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”.
Burimet shprehen se i riu ishte bërë një figurë e njohur në tregun e drogës në Evropë. Ai ishte zhvendosur nga Pisa, Itali, ku ishte rritur, në Marbella të Spanjës, ku merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia. Sipas burimeve, ai kishte krijuar grupin e tij, por mosmarrëveshjet me bashkëpunëtorët i kanë kushtuar jetën.
Dyshohet se ai është marrë peng në muajin maj, dhunuar, vrarë dhe më pas trupi i tij është hedhur në det. Policia spanjolle është në dijeni të zhdukjes, por ende nuk ka informacione zyrtare mbi vdekjen e tij apo vendndodhjen e trupit. Dyshimet e bandave të drogës në Spanjë janë se pas kësaj ngjarje qëndrojnë kartelet kolumbiane ose një shtetas nga Vlora, me të cilin Danaj kishte pasur probleme së fundmi.
Miklovan Danaj jetonte në Spanjë me bashkëshorten dhe vajzën e tij 8-muajshe. Familja po vijon kërkimet dhe pret një informacion zyrtar mbi fatin e tij.