Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve, një skandal i rëndë që përfshin deputetin e sapozgjedhur të Partisë Socialiste në Qarkun Gjirokastër, Tërmet Peçi, po mbahet në mënyrë të qëllimshme nën heshtje nga institucionet shtetërore dhe organet e drejtësisë. Pavarësisht natyrës së rëndë të akuzës, nuk është marrë asnjë masë ndaj tij, ndërsa skandali është zhdukur nga çdo kanal zyrtar informimi.
Burime të sigurta për “Pamfleti” konfirmojnë se një qytetar nga Këlcyra ka kërkuar divorcin nga bashkëshortja e tij, pas një ngjarjeje të denoncuar si përdhunim me kërcënim dhe dhunë, ku sipas kallëzimit, autor është pikërisht deputeti Peçi. Ngjarja ka ndodhur gjatë kulmit të fushatës zgjedhore dhe është referuar fillimisht në Komisariatin e Përmetit e më pas në Policinë e Gjirokastrës, por nuk është bërë publike me urdhër politik, duke shkelur çdo normë ligjore dhe etike.
Sipas burimeve, Ministrja Mirela Kumbaro, që drejtoi politikisht fushatën e PS në Qarkun Gjirokastër, është informuar menjëherë për incidentin dhe ka ndërhyrë për të shtypur denoncimin, duke ushtruar presion ndaj çiftit për të tërhequr kallëzimin. Bashkëshortes së viktimës dhe burrit të saj u është kërkuar të heshtin, por burri ka refuzuar dhe ka nisur procesin e divorcit, duke denoncuar publikisht mungesën e drejtësisë dhe mbrojtjes ligjore.
Ajo që e bën edhe më tronditëse këtë histori është e kaluara e errët e Tërmet Peçit. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash të rënda penale, përfshirë grabitje me armë, rrëmbime dhe trafikim të grave drejt Greqisë dhe Italisë, një aktivitet që dyshohet ta ketë ushtruar në bashkëpunim me vëllain e tij Vojo Peçi, aktualisht oficer policie aktiv në sistemin shtetëror.
Megjithatë, në vend që të përballej me ligjin, Peçi ka marrë mbështetje të plotë nga Partia Socialiste, e cila jo vetëm që nuk u distancua nga kandidatura e tij, por e promovoi publikisht gjatë fushatës, duke siguruar që ky skandal të mos ndikonte në rezultatin elektoral. Me një rrjet mbështetjeje politike, heshtje institucionale dhe manipulim të strukturave të rendit, asnjë masë nuk është marrë ndaj tij dhe ndaj zyrtarëve që dyshohet se ndihmuan në fshehjen e ngjarjes.
Ky rast përbën një shëmbëlltyrë brutale të abuzimit të pushtetit, ku drejtësia përdoret si vegël politike dhe ku krimi nuk ndëshkohet, por promovohet në parlament. Çështja nuk është thjesht penale – është një test për shtetin, për moralin publik dhe për kufirin midis pandëshkueshmërisë dhe llogaridhënies.
A do të guxojë ndonjë institucion në këtë vend të ndëshkojë një deputet të mazhorancës për një akuzë kaq të rëndë? Apo do të jemi sërish dëshmitarë të një kapitulli të ri të heshtjes, ku politika i garanton vetes imunitet moral dhe penal? Në një shoqëri të kapur nga frika dhe klientelizmi, kjo pyetje tingëllon gjithnjë e më shumë retorike.